Shënimi i Ylli Manjanit: Berisha dhe parashuta me vrima, që Rama i ka dhënë Bashës!

Nga Ylli Manjani

Që të sqarohemi.

Për cilindo që i ka sytë n’ballë e mendt n’kokë, problemi nuk është Saliu. Edhe sikur që tani ta ndërpresë turin e takimeve të tij publike me demokratët, Ai e kreu misionin e tij.

Ai dëshmoi se humbësi kronik Lulzim Basha, është ai që duket. Çdo iluzion tjetër që ishte krijuar edhe nga ideja që Saliu e mbështet dështakun, tashmë ra.

Të gjitha ata që Lulin e shihnin me rezerva, sot kanë të drejtë. Saliu, përveç rezultateve humbës të zgjedhjeve, u dha të të drejtë.

Pra PD e Lulit ka marrë rrugën e humnerës. I vetmi që ka një parashutë me vrima është Luli. Një parashutë që ja ka dhënë Rama, për t’i krijuar idenë se Ai do shpëtojë…

Pra Berisha e bëri të veten. Me vonesë pak, por e bëri. Ndaj ska si të jetë më problemi i PD. Ndoshta nuk është as zgjidhja e saj, por drejtimin për në humnerë e ka marrë Luli.

Ndaj problemi është Luli, i cili përveç se humbës kronik është edhe fasadë që legjitimon monizmin politik. Fasadë që e bën keqqeverisjen abuzive, si një gjë normale…

Kështu që zhvendosja e fokusit nga Luli te Berisha i bën nder fasadës, dështimit dhe monizmit.

Zaten shihni mediat e punëmbaruarit e saj qeveritarë që vijojnë të shkumëzojnë kundër Berishës. Në fakt janë të njëjtët që kanë vite që shkumëzojnë kundër tij.

Nga ana tjetër, pse PD zyrtare e ka problem Berishën?!

 A pretendojnë se përfaqësojnë partinë, atëherë pse kanë frikë Saliun?!

 A janë të zotë e të bindur se janë në rrugë të mbarë, ç’punë po u prish një pensionist, që bën opozitë në mënyrën e tij?!

 Kaq hall e kanë “qytetarin dixhital”?!

D.m.th Berisha jo sot në pension, po edhe kur të mos jetë më në këtë jetë do ta kenë hall…. Kaq të pazotë e të pashpresë janë.

Megjithatë sa më shumë merren me Berishën aq më shumë provojnë veten, se nuk janë për këtë punë. Aq më shumë të drejtë i japin Atij.