VIDEO/ Betohet kabineti 'Rama 3', qeveria bën foton tradicionale para Kryeministrisë

Kabineti Rama 3  ka bërë betimin në Presidencë, duke marrë zyrtarisht detyrën, për 4 vitet e ardhshme. Betimi para Presidentin Meta zgjati 15 minuta, ndërsa në përfundim, kryeministri dhe ministrat përshkruan në këmbë,  rrugën drejt kryeministrisë. 

Nga SYRI TV.

Në orën  10 të mesditës, makina e Kryeministrit, kapërceu  derën e Presidencës, për të çuar Edi Ramën,  para betimit në Kushtetutë,  duke marrë  mandatin e trete, si Kryeministër i Shqipërisë. 

Kabineti Rama 3 u betua  me ngut, për më pak se  15  minuta, para Presidentit  Ilir META,  të cilin mazhoranca socialiste e  shkarkoi  disa muaj më parë. Të dy, u ritakuan serish, por pa trokitur gotat e  kremtimit.

Duke ndjekur traditën, Kryeministri Rama dhe ministrat e qeverisë së tij,  përshkruan në këmbë  Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke ndaluar, para godinës së  Këshillit të Ministrave,  për të fiksuar në foto,  momentin kur qeveria nisi zyrtarisht maratonën 4-vjeçare. 

Megjithëse i pari i qeverisë, Edi Rama  zgjodhi të  hynte i fundit në Kryeministri. 

Sapo Kryeministri mbylli derën,  për qeverinë e re shqiptare erdhën dhe mesazhet e para, të cilat, përveç urimit, kishin brenda edhe kujtesën për detyrat  e rëndësishme që kabineti i Edi Ramës  ka përpara. 

Komisioneri  për Zgjerimin në BE,  Oliver Varhelyi,  në mesazhin e urimit,  i kujtoi  Kryeministrit se pavarësisht  shumicës në Kuvend,  dialogu konstruktiv politik është çelës i fortë koordinimi për në Bashkimin Europian.

Ambasadorja Amerikane,  Juri Kim, pak  minuta pas betimit  të qeverisë,e  cilësoi  historik mandatin e Partisë  Socialiste, duke thënë se në nisjen zyrtare të këtij  mandati, SHBA mezi pret të punojë intensivisht me Shqipërinë për të forcuar demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.

Kabineti i ri qeveritar

Zoti Edi Rama- Kryeministër;
Zoti Arben Ahmetaj – Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave;

Zonja Olta Xhaçka – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
Zoti Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes;
Zoti Bledar Çuçi – Ministër i Brendshëm;
Zonja Delina Ibrahimaj- Ministër i Financave dhe Ekonomisë;
Zonja Belinda Balluku – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
Zonja Evis Kushi – Ministër i Arsimit dhe Sportit;
Zoti Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë;
Zonja Elva Margariti – Ministër i Kulturës;
Zonja Frida Krifca – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
Zonja Ogerta Manastirliu – Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
Zonja Mirela Kumbaro Furxhi – Ministër i Turizmit dhe Mjedisit;
Zonja Elisa Spiropali – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
Zonja Edona Bilali – Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
Zonja Bora Muzhaqi – Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët;
Zonja Milva Ekonomi – Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve.