VIDEO/ Përjashtimi i Berishës: Kush flet pas maskës, Yuri apo Luli?

Sa më shumë ditë kalojnë, aq më kontradiktore bëhen qëndrimet lidhur me përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së. Lulzim Basha vazhdon t'i mbahet qëndrimit se ai e mori aktin ekstrem me zemër të thyer, dhe i detyruar nën trysninë e amerikanëve. Edhe mbrojtësit e tij publikë, argumentojnë se ai nuk kishte rrugë tjetër, se ky qe një vendim i dhimbshëm për të shpëtuar partinë, se në të kundërt PD do të izolohej e do të kishte të gjitha koseguencat e një force politike të etiketuar si anti amerikane.

Por, të enjten ka ndodhur një surprizë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadorja Kim u pyet drejtpërdrejt nga gazetari Armand Mero për këtë pretendim të Bashës si dhe për hipotezën e asaj që mund të ndodhte nëse PD nuk e përjashtonte Berishën.

Ajo i lau duart duke e kaluar përgjegjësinë mbi Bashën dhe PD. Ajo tha se ata duhet të marrin përgjegjësi për vendimet e tyre. Madje përmendi edhe Shqipërinë si një vend anëtar i NATO-s duke nënkuptuar se politikanët e saj nuk mund të sillen si fëmijë që i merr përdore tutori (shiko videon poshtë).

Pra sikurse shihet nga fjalët e saj, Yuri e lë të gjithë përgjegjësinë mbi shpatullat e sfilitura të Lulit.

Natyrisht, versioni i saj nuk mund të merret si i mirëqenë. Vetë Kim shkoi tek selia e PD, sapo Berisha u shpall non-grata dhe kërcënoi se demokratët nuk mund të hanin bar për hir të mbrojtjes së një njeriu. Konfirmime të disafishta për Lapsi.al vërtetojnë se mbi dhjetë deputetë demokratë janë thirrur në selinë e ambasadës dhe u është kërkuar përjashtimi i liderit të tyre historik. Pastaj edhe përshëndetja e njëhershme e aktit të Bashës për duke e konsideruar si një veprim që “meriton respekt” është tejet domethënëse.

Pra nuk ka dyshim se trysnia amerikane ka qenë e fortë, madje edhe me metoda ekstra demokratike për një vend sovran dhe që do të sillet si anëtar i NATO-s. Në këtë pikë fjalët e ambasadores Kim mund të jenë qoftë një tërheqje e pasinqertë, pasi ka arritur qëllimin, qoftë edhe një justifikim para ambasadorëve të tjerë perendimorë që gjenden në Tiranë dhe që kanë mbetur të shock-uar nga kjo trysni brutale e denjë për një republikë bananesh.

Por, sido që të jetë e vërteta e ambasadores Kim, në pohimin e saj ka një gjë të vërtetë. Ekzekutuesi dhe përgjegjësi i vetëm i përjashtimit të Berishës, mbetet Lulzim Basha.

Ambasadorja rrefuzoi të na tregojë publikisht se cili do të qe reagimi i SHBA-ve nëse kreu i PD-së vepronte ndryshe. Ndërsa argumenti më i fortë që ka deri më sot Basha dhe mbrojtësit e tij është se ai e shpëtoi PD-në nga bomba bërthamore që Amerika do të lëshonte mbi selinë e SHQUP-it./Lapsi.al