VIDEO nga SYRI TV/ Regjistrimet në universitete, ja cilat janë degët më të kërkuara

Rreth 70% e maturantëve janë regjistruar në një program për nisjen e studimeve në universitet. Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, në një intervistë për SYRI TV, tha se interesi më i madh është vënë re në degët e mjekësisë dhe inxhinierisë. Pas përfundimit të raundit të parë, maturantët mund të aplikojnë në raundin e dytë, nga 19-21 Shtator.

Nga SYRI TV

Nga 22 mijë e 100 maturantë që garuan për të nisur studimet e larta në universitet, rreth 70% e tyre janë regjistruar në një program studimi. Interesi më i madh është vënë re në degët e fushës së mjekësisë, duke vijuar më pas edhe më programet e studimit në inxhinieri, shkenca ekonomike e juridike. Për SYRI TV, drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, dha më shumë detaje në lidhje me regjistrimin e maturantëve në Universitete.

Edhe pse në periudhë pandemie, interesi i maturantëve për ndjekjen e studimeve të larta ka qenë i pandryshuar, madje këtë vit kanë aplikuar rreth 200 maturantë më shumë. Me përfundimin e raundit të parë, maturantët do të kenë mundësinë të aplikojnë në raundin e dytë, i cili nis më 19-21 Shtator.

Të gjithë maturantët që janë regjistruar, kanë mundësi që në datat 16 dhe 17 Shtator të çregjistrohen pranë sekretarive të fakulteteve, nëse me pikët që kanë mund të fitojnë një degë tjetër që e preferojnë më shumë. Ky është viti i 5-të që regjistrimet kryhen nëpërmjet portalit U-Albania, e deri më tani kjo procedurë ka rezultuar e qartë për maturantët.