Bllokimi i minatorit, Sindikata: I bëjmë thirrje shtetit të mobilizohet për kërkimin e Muharrem Plakut

Sindikata e Minatorëve ka reaguar për zhdukjen e minatorit në Bulqizë, Muharrem Plaku. Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga zhdukja e tij, ende nuk ka asnjë gjurmë për minatorin.

Sindikata i bën thirrje shtetit që të mobilizohet për kërkimin dhe gjetjen e Muharrem Plakut, teksa shprehen se vetëm kolegët e tij po vazhdojnë kërkimet pa u lodhur.

Reagimi i plotë i SM:

ASNJË REAGIM NGA SHTETI PËR MINATORIN MUHARREM PLAKU

Kanë kaluar më shumë se 48 orë nga momenti kur një masiv dheu ka zënë poshtë minatorin Muharrem Plaku në Bulqizë. Raportohet nëpër media sikur grupet e avari-shpëtimit janë duke bërë kërkime, por në fakt janë minatorët e tjerë, shokët e Muharremit, ata që po vazhdojnë kërkimet pa u lodhur.

Shteti dhe mobilizimi i institucioneve shtetërore ka qenë qesharak, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy ditë. E gjithë vëmendja është përqëndruar te parlamenti i ri i padrejtësive të vjetra. Asnjë fjalë nuk kanë thënë për minatorin Muharrem Plaku.Bëjmë thirrje që shteti të kthejë sytë nga Bulqiza dhe të përqëndrojë të gjitha forcat për nxjerrjen e shokut tonë nga nëntoka.Jeta jonë duhet të jetë më e rëndësishme se fitimi i pronarëve dhe pallavrat e politikanëve!