Prezantohet vizatimi i sapozbuluar i Van Gogh - FOTO

Është zbuluar një vizatim i Vincent van Gogh që nuk ishte parë më parë, ku tregohet një plak i rraskapitur nga lodhja. Lajmin e ka bërë të ditur muzeu kushtuar artistit.

Studimi për “Worn Out” u hartua në fillim të karrierës së artistit në 1882, tha Muzeu Van Gogh të enjten.

Skica ka qenë në koleksionin privat të një familje holandeze për më shumë se një shekull. Por të enjten, ajo u shfaq në muzeun e Amsterdamit për herë të parë.

'Jashtë në natyrë'

Publiku do të jetë në gjendje ta shohë atë deri më 2 janar, para se të kthehet në koleksionin privat.

Vizatimi i vogël me laps, i nënshkruar "Vincent", përshkruan një punëtor të moshuar të veshur me jelek, pantallona dhe çizme, të ulur në një karrige prej druri me kokën në duar.

"Ky nuk është parë kurrë më parë askund. Është hera e parë që ky vizatim del në shesh," tha Teio Meedendorp, studiues i lartë në Muzeun Van Gogh.

Ai i tha BBC -së se ishte "absolutisht e pamundur" të thuash se sa vlente.

Van Gogh duket se e ka përdorur vizatimin si bazë për një version paksa të ndryshëm të vizatimit pak më vonë, që  aktualisht është në koleksionin e muzeut nën titullin “Warn Out”.

Artisti bëri “Study for Worn Out” kur jetonte në Hagë dhe ende mësonte të vizatonte rreth moshës 29 vjeç. Ekspertët thonë se ai ofron një pasqyrë të jashtëzakonshme mbi procesin e punës së Van Gogh në atë kohë.

'Gjithçka që prisni'

Drejtoresha e muzeut, Emilie Gordenker, tha se ekipi ishte "i kënaqur me këtë zbulim".

"Ne jemi shumë të lumtur që kemi dhënë një kontribut në fushën e specializimit tonë," shtoi ajo. "Është shumë e rrallë që një vepër e re t'i atribuohet Van Gogh. Ne jemi krenarë që jemi në gjendje të tregojmë këtë vizatim të hershëm dhe historinë e tij për vizitorët tanë."

Pronari i veprës, i cili dëshiron të mbetet anonim, i kërkoi muzeut të përcaktojë nëse vizatimi mund t'i atribuohet Van Gogh.

Në një deklaratë, studiesi Meedendorp tha: "Në aspektin stilistik, ai përshtatet në mënyrë të përkryer me studimet e shumta të figurave që njohim nga koha e Van Gogh në Hagë dhe lidhja me "Worn Out" është e qartë.

"Artisti filloi duke vizatuar një rrjetë në letër, e cila na thotë se ai punoi me një kornizë perspektive për ta ndihmuar të kapte një figurë shpejt me përmasat e sakta. Ai pastaj  e përpunoi fletën në stilin e tij të vizatimit karakteristik ekspresiv: jo i rafinuar, por me gërvishtje dhe goditje energjike dhe shtrirje të kontureve, në kërkim të një imazhi të rëndë me vëmendje të veçantë ndaj efekteve të dritës dhe hijes."