Letra e ish-dhëndrit/ Reagon babai i Sabrinës: Plehra, ai e vrau vajzën duke ngrënë bukë

Një ditë pas letrës së publikuar në media, ku Elton Metaj akuzonte babanë e ish-bashkëshortes së tij, 23-vjeçares Sabrina Bengaj, për vrasjen e kësaj të fundit, reagon i revoltuar i ati i të ndjerës.

Ky i fundit ka hedhur akuza ndaj Metaj duke e cilësuar si ‘fëlliqësirë, plehrë’. Ai tregon se Elton Metaj e ka vrarë vajzën e tij, sapo ka hyrë në banesë.

Ndërkaq, Partizaj Bengaj sot ka denoncuar në SPAK gjyqtarin dhe prokurorin që liruan nga burgu vrasësin e vajzës së tij.

‘Unë po autorizoj avokatin që në SPAK të përfaqësoj që të denoncojë të gjithë ata që janë përfshirë në lirimin e vrasësit të vajzës sime’, tha Partizan Bengaj për ReportTv.

Sa i përket akuzave se ai e ka kërcënuar ish-dhëndrin e tij Bengaj thotë se në atë periudhë ka qenë në Itali dhe akuzat janë totalisht të pavërteta. 

Avokati Vishaj u shpreh se do të studiohet e gjithë dosja për të parë të gjitha përgjegjësitë.

‘Është një ngjarje shumë e rëndë. Në do të shikojmë se çfarë do të bëjmë pasi të shikojmë të gjithë dosjen’, tha avokati Vishaj.

Ndërsa duke folur për emisionin ‘Me Zemër të Hapur’ Partizan Bengaj ka komentuar letrën e ish-dhëndërrit të tij dhe e quajti Elton Metajn dhe gjithë familjen e tij si mashtrues dhe plehra. Sipas tij, gjithçka që Metaj ka shkruar në letër është gënjeshtër, duke shtuar se as ai dhe as askush nuk mund ta njollosë vajzën e tij.

‘Ka mundësi t’i thuash atij lloj fëlliqësire se nuk e njollos dot vajzën time. Këta lloj fëlliqësirash nuk mund ta njollosin vajzën time. Të gjitha që thonë, si ai, edhe prindërit e tij, janë gënjeshtra. Ai plehra e mbante mbiemrin tonë se iku në Greqi. Gjithçka që ka shkruar në letër është mashtrim. Absolutisht s’e kam kërcënuar kurrë atë. Por, më mashtrues se Eltoni, është avokati i tij. Do ta denoncojmë se shpalli një letër të tillë, avokat pa pikë dinjiteti. Sabrina nuk ka pasur asnjë lloj marrëdhënie. Për këtë mbaj përgjegjësi penale dhe shkoj unë në burg, po këta janë plehra. Këta lloj plehrash nuk e njollosin dot fëmijën tim’, tha babai i Sabrinës.

Ndërhyn gazetarja: Ai thotë se ‘Unë kam shkrepur armën, por Sabrinën e ka vrarë i ati’.

Babai i 23-vjeçares: Nuk e fëlliqin dot time bije këta lloj plehrash moj, le të flasin. Ata janë mashtrues si familje. Është turp që unë të flas, dihet publikisht që sa hyri në banesë, shkrepi armën direkt, teksa vajza ishte duke ngrënë bukë. Nuk mund të ma zërë goja atë lloj plehre.