‘Pavlos’, si u zbërthye banda e shqiptarëve nga agjenti i infiltruar, droga do të futej nga Maqedonia në Greqi

Policia e Selanikut ka kapur një sasi prej 50 kilogramësh kanabis, të cilat një grup shqiptarësh ishin duke u përpjekur që t’i fusnin nga Maqedonia e Veriut në Greqi.

Mediat greke raportojnë se ka të dhëna që origjina e kanabisit të jetë nga Shqipëria, por ajo nuk është tentuar të futet direkt përmes kufirit për shkak të forcave të shtuara të policisë në të dyja anët e tij.

Rrjedhimisht sipas mediave greke, trafikantët shqiptarë kanë hapur një rrugë tjetër, e cila nis nga Shqipëria, në Maqedoni dhe më pas në Greqi.

Krahas lëndës narkotike, policia greke ka arrestuar edhe dy persona me origjinë nga Shqipëria, të cilët po organizonin trafikun, shkruan abcneës.al.

Agjenti i infiltruar

E gjithë linja e trafikut të shqiptarëve u zbulua nga një agjent i infiltruar, i cili i dha garanci trafikantëve që do të çonte lëndën narkotike nga kufiri në një zonë më në brendësi të territorit grek.

Agjenti i infiltruar, me emrin “Pavlos” lidhi fillimisht kontakt me një shqiptar të quajtur “Nikos”, të cilit fillimisht i fitoi besimin.

Tre muaj pas këtij kontakti, pikërisht paraditen e sotme ai mori përsipër që të fuste brenda territorit grek sasinë prej 50 kg të lëndës narkotike. Ata ranë dakord për një pagesë prej 3 mijë eurosh për këtë shërbim.

Por, pasi ranë dakord dhe shqiptari nxorri nga makina kanabisin për t’i futur në makinën e policit, një numër i madh agjentësh policie mbërritën aty duke bërë arretimin e tij. Krahas tij u kap edhe një tjetër bashkëpunëtor.