Afganistan: Talibanët nuk përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve

Gjatë sundimit të tyre të mëparshëm nga 1996 në 2001, talebanët kritikuan zgjedhjet demokratike, i karakterizuan ato si një traditë perëndimore kundër Islamit dhe sulmuan qendrat e votimit, punëtorët dhe tubimet parazgjedhore.

Tani, zëdhënësi i talebanëve Suhail Shahin nuk përjashton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve.

Në një intervistë me shërbimin urdu të Zërit të Amerikës, Shahin tha se çështja do të zgjidhej me kushtetutën e re.

 “Le të presim pak kur vjen puna te çështja e zgjedhjeve. Ne po planifikojmë të miratojmë një kushtetutë të re, kështu që do të flasim edhe për këtë dhe do të punojmë në draftin e saj, " tha Shahin.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi u bëri thirrje talibanëve që të mbajnë zgjedhje dhe ministri i jashtëm taleban Amir Khan Mutaki u përgjigj se vendet e huaja nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të Afganistanit.

Talibanët morën kontrollin e Afganistanit më 15 gusht dhe Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë evakuuar më shumë se 120,000 njerëz nga Kabuli.

Qeveria e re u formua javën e kaluar dhe përbëhet kryesisht nga anëtarët e talibanëve të ashpër, të udhëhequr nga kryeministri Mohammad Hassan Akhund.

Nuk ka gra në qeveri, as anëtare të pakicave kombëtare që kanë qenë në qeveri në dy dekadat e fundit.

Talibanët u distancuan duke thënë se emërimet nuk ishin të përhershme dhe se gratë do të lejoheshin të merrnin pjesë në qeveri, edhe pse jo në postet ministrore.

Kushtetuta e Afganistanit e vitit 2004 përcakton që të gjitha ligjet duhet të jenë në përputhje me ligjin e Sheriatit, dhe talebanët shpallin rregullore edhe më të rrepta.