Pse Rama ka shtuar presionin ndaj Bashës për të shpallur marrëveshjen!

Një nga aksionet më madhore që ka shpallur kryetari i Partisë, Lulzim Basha, për të realizuar në parlament gjatë këtij sesioni është edhe ndryshimi i Kushtetutës së vitit 2008.
Nuk dihet ende se çfarë synohet saktësisht, por e sigurt është që kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet një dakordësimi dhe një marrëveshje me kreun e shumicës, Edi Rama.

Ky i fundit, pasi ka përsëritur sërish se është i gatshëm që të bashkëpunojë me Bashën, këtë herë është treguar edhe më konkret duke deklaruar dje në parlament se është i gatshëm edhe për synimin e tij në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por edhe të tjera që ende nuk i dimë.

Madje Rama e ka paralajmëruar kreun e opozitës që të mos presin më sepse nuk ka kohë, por të ulen sa më shpejtë për të finalizuar marrëveshjen e tyre.

“Duan ndryshim të sistemit kushtetues. Hajde ta diskutojmë, kjo kërkon dialog. Gjithsesi disponimi ynë është i plotë dhe qoftë kryetari i grupit apo sekretari i përgjithshëm nga ana tjetër janë në çdo moment të gatshëm që sido që ta zgjedhë PD-ja, nëse do e zgjedhë një proces dialogu. Menjëherë të vihen në komunikim, nëse duan ta bëjnë në rrugën X apo Y, por koha është e ngushtë. Vitet ikin dhe për të gjithë ata që kanë qenë që në mandatimin e qeverisë së parë, duket sikur ajo ka qenë para 8 muajsh, na duhet të fokusohemi në punën tonë dhe realizimin e programit”, deklaroi dje nga foltorja e parlamentit kryeministri Rama.

“Koha është e ngushtë”, e paralajmëron kryeministri kreun e PD-së!

Ky lloj presioni që Rama i bëri dje Bashës për të finalizuar marrëveshjen e shumëpërfolur (jo vetëm për Kushtetutën), nuk mori përgjigje prej këtij të fundit në sallën e parlamentit.
Dhe kjo është e kuptueshme, pasi aktualisht Basha është duke punuar dhe shpresuar, që të zvogëloj çdo dëm koleteral nga lëvizja e fundit e Sali Berishës kundër tij. E për këtë i duhet që në këtë periudhë të shmangë sa të mundet perceptimin e demokratëve se ai ka marrëveshje, ose është gati për një pakt tjetër me Edi Ramën.

Ndër akuzat kryesore që po lëshon lideri historik i PD-së, Sali Berisha, ndaj pasardhësit “të pabesë” është pikërisht kjo: Lulzim Basha është në pazar me Edi Ramën dhe i ka shitur interesat e partisë, në funksion të përftimeve dhe “halleve” personale! 

Pikërisht ky kompleksim, që buron nga dyshime të forta ndër vite jo vetëm mes demokratëve, se Basha është gjithmonë gati për marrëveshje okulte dhe personale me Ramën, (si ajo e 17 majit 2017), duket se ka bërë që ai të japë shfaqje në parlament, sikur po bën “opozitë të egër dhe pa kompromis”.

Kjo u pa kur deputetët e PD-së në rresht grisën fletët votimit, sulmojnë pa shkak kryetaren “e shkretë” të Kuvendit, duke zhurmuar me tavolina, duke e ikur kot më kot nga salla e seancave.

Ndërkohë që brenda partisë ka nisur një lëvizje e cila tashmë nuk e fsheh se si qëllim final ka edhe rrëzimin e Lulzim Bashës nga posti që mban prej 8 vitesh, aksionet e Bashës kundër “regjimit Rama” deri më tani kanë rezultuar komike.

Pikërisht sepse Basha gjendet në këtë situatë, Rama ka shtuar presionin që të shpallin marrëveshjen.

Por sigurisht në këto kushte, ndryshon edhe pazari për Bashën.