Berisha: Do çlirojmë vendin nga fantazmat, nuk thyhem para shpifjeve

Në fund të fjalës së tij në Foltoren e Tiranës, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se kjo lëvizje do e çlirojë Shqipërinë nga fantazmat, një përgjigje indirekte për komentet e sotme të ambasadores Yuri Kim.

“Dy fjalë për të ardhmen. Viktor Hygo ka shkruar diku se e ardhmja ka emra të ndryshëm. Ai thotë se e ardhmja, për të dobëtit quhet e pamundur. E ardhmja për sentimentalët, quhet e panjohur. E ardhmja për guximtarët quhet idealja.

Ndaj dhe ne zotohemi këtu që në përpjekjen tonë, do të çlirojmë Shqipërinë nga fantazma e komunizmit, e bllokmenëve, nga fantazma e mafias, e krimit dhe e korrupsionit që po gërryen çdo ditë këtë vend. Por edhe nga fantazma e Sorosit, i cili është një armik i qendrës së djathtë dhe i të djathtës shqiptare. I parimeve që ato mbrojnë.

Së fundi, ju siguroj ju dhe të gjithë shqiptarëve, por edhe miqtë e mi kudo në botë, edhe ata që flasin për fantazma, se kur të dalë një fakt i vetëm, Sali Berisha është i gatshëm që të marrë një vendim.

Përndryshe aq sa jam i përulur para të vërtetës, aq jam i pathyeshëm ndaj shpifjes dhe mashtrimeve,” tha Berisha.