Berisha kërkon ndjesë publike për Bashën dhe e quan ish-kryetar

Ish-kryeministri Sali Berisha u ndërpre disa herë me ovacione teksa fliste nga Foltorja. Momentet kulmore ishin kur ai e quajti Bashën ish-kryetar.

“Lulzim Basha në një akt të pashembullt të një shteti, diktatorial apo jo, pa pyetur asnjë njeri, del dhe komunikon përjashtimin e Sali Berishës, duke i futur një thikë pas shpine të gjitha parimeve mbi të cilat është ngritur PD. Ai i futi një thikë pas shpine të gjitha forumeve të PD-së. Kujt i futi thikën tjetër ai? Ju, anëtarëve të PD. Vullnetit tuaj të shprehur në statutin e PD, të shprehur në delegatët, në forumet e partisë. Në Këshillin Kombëtar, te deputetët. Ai i asgjësoi të gjitha.

Prandaj ja ku jemi, por tani vendoseni veten në pozitat e dy zgjedhësve. Njëri prej tyre ka votuar PS, tjetri ka votuar PD-në. Votuesi i PS do i thotë atij të PD se këta të tutë qenkan pa parime, se këta i fusin thikën në shpinë tjetrit, se ai që keni votuar për kryeministër, nuk njeh sovranitetin dhe nuk respekton ligjet dhe rregullat e një vendi,” tha Berisha.

Më pas ai kërkoi ndjesë përpara demokratëve për mbështetjen ndaj Bashës.

“Ne jemi mbledhur së pari për të kërkuar një ndjesë publike. Këto ditë kam takime me demokratë nga mëngjesi deri në darkë. Të gjithë më kanë thënë hapur se atë nuk e kemi dashur, por e kemi mbështetur sepse e mbështet Doktori. Ua them me sinqeritet absolut se me këtë përmasa nuk e njihja atë. Unë i kisha mbyllur hesapet dhe punoja nga mëngjesi deri në darkë vetëm për interesa të PD dhe të shoqërisë. Në 8 vite, ju garantoj se në 8 vite janë me gishtat e dorës njerëzit që kam promovuar apo lançuar në PD.

Por ka ndodhur një spastrim i heshtur i të gjithë atyre që kanë punuar me mua, por unë asnjëherë nuk i thashë. Çdo anëtar i PD-së duhet ta dijë se kam qenë përpara tij vetëm avokat i tyre. Nuk jam pajtuar asnjëherë, por si njeri i betuar që nuk do kthehem, isha betuar se njëri po mbetej, unë do isha i dyti. Unë nuk kisha projekt.

Për interes të karriges së tij, ai ka deklaruar te të huajt dhe shqiptarët se ‘unë nuk i marr vendimet, por i merr Berisha’,” tha Berisha.