Putini do të izolohet për disa ditë prej Covid, pasi dhjetëra vetë nga ekipi janë sëmurur

Moskë - Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se do të duhej të kalonte "disa ditë" në izolim pasi dhjetëra njerëz në ekipin e tij u sëmurën me COVID-19, njoftoi agjencia e lajmeve TASS.

Putin foli me anë të një lidhjeje video në samitin e një blloku të sigurisë të udhëhequr nga Rusia, i cili u mbajt në Taxhikistan. Ai kishte planifikuar të merrte pjesë personalisht në të, para lajmit të shpërthimit të virusit në rrethin e tij të brendshëm këtë javë.

Më parë ka qënë e paqartë se sa i madh ishte shpërthimi dhe sa kohë Putini do të qëndronte i izoluar.

"Nuk është vetëm një person ose dy persona, ka dhjetëra njerëz," tha ai.

"Dhe tani më duhet të qëndroj në izolim për disa ditë."

Putin, 68 vjeç, i cili ka marrë dy doza me vaksinën ruse Sputnik V, tha këtë javë se ai tani po testonte personalisht efikasitetin e tij ndërsa Kremlini tha se vetë presidenti ishte i shëndetshëm.

Kremlini ka pasur një regjim rigoroz të krijuar për të mbajtur Putinin larg nga cilido me COVID-19.

Vizitorëve të Kremlinit u është dashur të kalojnë nëpër tunele të veçanta dezinfektimi, gazetarët që marrin pjesë në aktivitetet e tij duhet t'i nënshtrohen testeve të shumta PCR, dhe disa njerëzve që takon u kërkohet të karantinohen paraprakisht dhe të testohen.