Voltana Ademi nxit krijimin e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike

Me iniciativën e kryetares së Bashkisë Shkodër zj. Voltana Ademi dhe me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ditën e sotme është zhvilluar një takim konsultativ për krijimin e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike (KVSP) në Bashkinë Shkodër.

Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues nga Këshilli Bashkia, Policia Bashkiake, Prefektura, Prokuroria, gjykatat, DVP dhe Komisariati i Policisë Shkodër, përfaqësues të komuniteteve fetare, nga shoqëria civile dhe të rinjtë.

Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike janë struktura konsultative mbi çështjet e sigurisë publike në nivel vendor që funksionojnë pranë bashkive.

Gjatë takimit është përcjellë informacion lidhur me KVSP-në dhe rolin e saj në përballje me sfidat e sigurisë publike vendore; rritjen e bashkëpunimit ndër-institucional për çështjet e sigurisë dhe rendit; themelimin, rregulloren dhe planin e veprimit; si dhe lidhjen midis KVSP dhe Strategjisë së Sigurisë në Komunitet (2021-2025), të miratuar në dhjetor 2021.