Krasniqi: S'ka asnjë kompani gjermane te ne për shkak të korrupsionit

Për analistin Afrim Krasniqi, Gjermania ka qenë kritike, por edhe mbështetëse ndaj Shqipërisë.  Në studion e Ditari në A2 CNN ai tha se nuk ka asnjë kompani gjermane në Tiranë dhe Kosovë për shkak të korrupsionit.

“Gjermania i ka vendosur kushte Shqipërisë. Nuk ka asnjë kompani serioze që ka ardhur në Shqipëri për shkak se sa më të korruptuara të jenë strukturat administrative dhe vendimmarrëse, ato nxiten drejt oligarkëve vendas. Nuk ka më kapital gjerman në Tiranë e Kosovë dhe mesazhi gjerman është që ne duhet të kemi partneritet”.

Krasniqi thekson se Shqipëria ka përmbushur disa kritere, por kërkohen hapa më seriozë dhe luftë ndaj korrupsionit.

Ai tha se nuk është i sigurt se vendi ynë do të përfitojë nga kjo vizitë. "Merkel vjen për të dhënë 3 mesazhe, për të cilat, në dijeninë time, Tirana zyrtare nuk ka përgjigje”.

“Bashkëpunimi kryesor është bashkëpunimi ekonomik, ai që quhet tregu ekonomik dhe Shqipëria nuk ka ende potencial për të përfituar nga tregtia rajonale. Ne nuk kemi arritur të përfitojmë nga projektet e mëdha të Procesit të Berlinit, për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burokracisë”, deklaroi Krasniqi.

“Së dyti, koncepti i stabilitetit. Shqipëria është stabël, por mjafton një detaj i vogël në jetën parlamentare që gjithçka të kthehet nga fillimi. Së treti, nuk duhet ta shohim si një person që vjen për të na dhuruar diçka, por si person që vjen për të forcuar marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve”, shtoi Krasniqi.