Shumica e evropianëve mendojnë se ylli i Gjermanisë po venitet, sipas sondazhit të ri

Shumica e evropianëve besojnë se ylli i Gjermanisë po venitet, sipas një sondazhi të ri, pasi vendi po përgatitet për jetën pa Angela Merkelin.

Sondazhi, i publikuar para zgjedhjeve federale të Gjermanisë më 26 shtator, tregon se 34% e evropianëve të anketuar mendojnë se më e mira është lënë pas.

Gjermanët janë më pesimistët nga dhjetë shtete të BE-së të anketuara, me 52% që e shohin kombin e tyre si një fuqi në rënie, sipas sondazhit të publikuar nga grupi i ekspertëve i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR).

Shumica në tetë vende të tjera - Austri, Hungari, Poloni, Itali, Hollandë, Francë, Bullgari dhe Danimarkë - të gjitha janë dakord.

Kurse shumica e të anketuarve spanjollë mendojnë se epoka e artë e Gjermanisë është tani, ndërsa Bullgaria dhe Hungaria kishin përqindjen më të madhe të njerëzve që besonin se kohët më të mira të Gjermanisë janë përpara.

"Pa Merkelin, themelet e rolit drejtues të Gjermanisë në BE do të jenë dukshëm më të dobëta - nëse qeveria e re nuk zbaton një strategji të besueshme që shkon përtej Merkelizmit," shkruan ECFR në një analizë që shoqëron studimin.

"Nëse shumë evropianë besojnë se ylli i Gjermanisë po zbehet, kjo mund të minojë besimin e tyre te Berlini. Qëndrimet e tyre pozitive ndaj Gjermanisë së Merkel duket se kanë të bëjnë shumë me rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit dhe papunësinë e ulët në dy dekadat e fundit pavarësisht kushteve sfiduese ekonomike në Europë."

Të anketuarit gjermanë gjithashtu nuk kanë besim në aftësinë e vendit të tyre për të udhëhequr vendet e Bashkimit Evropian në fushat kryesore.