Mjekët përballë lëvizjes Anti-Vaksinë me 'çipa, zhapikë, magnetizim'

Me debatet e mëdha që ka ngjallur lëvizja Anti-Vax, mjekët janë vendosur përballë trysnisë për të dhënë "prova".

Mundësisht studime nga shkencëtarë prestigjiozë, të besueshëm përtej çdo dyshimi, që të provojnë me garanci 100% se, e para, vaksina ka efekt (mundësisht magjik) që të luftojë virusin dhe, e dyta, se personat që marrin vaksinën nuk do të kenë asnjë efekt anësor, as sot, as për pjesën e mbetur të jetës!

Dhe këto studime të jenë aq të thjeshta dhe të kuptueshme sa çdokush t'i kuptojë dhe të bindet!

Dhe mjekët ta shpjegojnë këtë në ato pak minuta kohë televizive përballë Anti-Vax-ëve të eksituar që flasin me patos për çipat, zhapikët jeshilë, magnetizimin e gjakut nga vaksina, konspiracionin botëror maltusian kundër jetës dhe pjellorisë, luftën e establishmentit kundër lirive dhe të drejtave të njeriut, etj., etj.

Më vjen keq si për ata që më ndjekin në facebook, ashtu edhe për ata që më ndjekin në studio. Kjo është e pamundur! Nuk mund t'u mbushësh mendjen të indoktrinuarve dhe të sqarosh kuriozët në pak minuta për një temë kaq serioze!

Por ama ka një argument që çdo njeri me mend e kupton. Në se marrim 1,000 persona të vaksinuar dhe 1,000 persona të pavaksinuar në çdo vend të botës sot, numri i shtrimeve në spital dhe vdekjeve është shumë herë më i ulët midis të vaksinuarve. Kjo ndodh në Izrael, në Gjermani, në Angli, në SHBA dhe, gjithashtu, edhe në Shqipëri.

Për një person që ka mendjen e hapur ky është argument se vaksina mbron. Ky person, me mendjen e vet, le të analizojë të gjithë rreziqet e vaksinës dhe le të vendosë vetë nëse do të vaksinohet apo jo!

Vaksina nuk është perfekte, ajo nuk ofron mbrojtje 100%, ajo ka efekte anësore (ato efekte që mund të përkufizohen si "rreziqe" janë fatmirësisht shumë të rralla), kërkimet e deritanishme japin garanci të arsyeshme se vaksina nuk do të ketë efekte anësore afatgjata (por këtë mund ta garantojë me 100% vetëm një terminator nga e ardhmja), etj.

Me këto fakte në mendje, le të vendosë kushdo i qetë nëse do ta bëjë apo jo vaksinën. Nëse e bën e ul ndjeshëm riskun për komplikacione dhe vdekje nga COVID-i. Nëse nuk e bën, e merr parasysh këtë risk. Kaq e thjeshtë është! Spitalet ama në Shqipëri dhe në botë janë të mbushur me pacientë që thonë "Ah sikur ta kisha bërë vaksinën! Ndoshta sot nuk dontë isha këtu ku jam sot..."

Ama, çdo vendim për t'u vaksinuar ose jo duhet të merret me vullnetin e lirë të gjithsecilit dhe pa detyrim...