Biden mesazh për 11 shtatorin: Uniteti, forca jonë e madhe

Presidenti amerikan, Joe Biden mbajti të premten një fjalim për të përkujtuar viktimat e sulmeve të 11 shtatorit, në kuadër të 20-vjetorit të tyre.

Në mesazhin e tij, të shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë, Biden nderoi të gjithë ata që humbën jetën, por edhe ata që e rrezikuan përgjatë minutave, orëve, muajve dhe viteve që pasuan ngjarjet.

“Por është e vështirë, qoftë përvjetori i parë apo 20-vjetori. Sot kemi fëmijë që janë rritur pa prindër dhe prindër që kanë vuajtur humbjen e fëmijëve. Burra dhe gra që u është dashur të vijojnë jetën pa partnerët e tyre. Vëllezër dhe motra, të dashur dhe miq që u është dashur të festojnë ditëlindjet me një plagë në zemër. S’ka rëndësi sa kohë ka kaluar, këto përkujtime kthejnë dhimbjen njësoj sikur lajmi të ketë ardhur pak sekonda më parë”, tha presidenti i SHBA.

Rreth 3 mijë persona u vranë, 2.600 prej të cilave në Kullat Binjake në Nju Jork, pas pengmarrjes së avionëve që u përdorën për të goditur grataçelat dhe selinë e Pentagonit në Uashington.

Gjatë së shtunës, Biden dhe bashkëshortja e tij Jill do të vizitojnë Nju Jorkun dhe më pas Pentagonin në Arlington, si dhe lokalitetin Shenksvill të Pensilvanisë, ku pasagjerët detyruan pengmarrësit të rrëzonin një avion që mund të godiste Kongresin Amerikan, ose Shtëpinë e Bardhë.

Më tej në mesazhin e tij, Biden tha se leksioni kryesor për amerikanët nga 11 shtatori i 20 viteve më parë ishte se “uniteti është forca jonë më e madhe”.