E kujt është kjo varëse?! Arrestohen edhe 2 hajdutë të tjerë në Sarandë që grabitën pushuesit/ Emrat

Policia e Sarandës dhe ajo e Vlorës nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës kanë vazhduar operacion "Pushuesit” kundër bandave të hajdutëve, që mësynë pushuesit në sarandë këtë vere.

Pas arrestimit të tre të parëve, në pranga u vunë mbrëmë edhe dy hajdutë të tjerë bashkë me sendet me vlerë që kishin grabitur, varëse flori si kjo që shihni në foto, para, ora dore që shfaqen në videon e mëposhtme.

Konkretisht, u arrestuan  Andon Qurku, 38 vjeç, banues në Sarandë, i dënuar më parë për vjedhje në Shqipëri dhe në Greqi si dhe Renato Vezelaj, 45 vjeç, banues në Tiranë, edhe ai i dënuar më pare për vjedhje.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të 3 vjedhjeve të ndodhura gjatë sezonit turistik, në qytetin e Sarandës, konkretisht:

1. Më datë 08.06.2021, këta shtetas, kanë vjedhur një shumë parash dhe një orë dore, në banesën e shtetasit A. B.

2. Më datë 13.06.2021,kanë vjedhur një shumë parash dhe disa bizhuteri në banesën e shtetasit E. B.

3. Më datë 08.09.2021, kanë vjedhur një shumë parash dhe sende me vlerë si unaza, ora dore dhe varse në banesën e shtetasit B. A.

Ata, pasi i kryenin vjedhjet në bashkëpunim me njëri tjetrin, menjëherë largoheshin në drejtim të qytetit të Tiranës, ku një pjesë të sendeve të vjedhura i shisnin në argjendarin e shtetasit S. V, ndërsa pjesën tjetër e mbanin të fshehura në banesë.

Në vijim u procedua në gjëndje të lirë argjendari S.V, 42 vjeç, banues në Tiranë, pronari i një argjendarie në Tiranë, për veprën penale të “Përvetsimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në argjendarin e tij, u gjetën disa prej sendeve të vjedhura nga këta shtetas, ndërsa pjesa tjetër e sendeve të vjedhura u gjetën dhe u sekuestruan në banesën e shtetasit Renato Vezelaj, në Tiranë.

Po nga hetuesit e Sarandës u arrestua për “Vjedhje mbetur në tentative”,  Jolian Hila, 18 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë, pasi më datën 9.09.2021, ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit D. K.