Albin Kurti përkujton 11 Shtatorin me një histori nga burgu serb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 11 shtatorin e vitit 2001 kur SHBA u sulmua nga disa akte të rënda terroriste, duke treguar një histori personale nga ajo kohë e cila përkonte me burgosjen e tij në Serbi.

Kurti rrëfen se si në burgun e Quprisë ku vuante dënimin prej 15 vitesh nga regjimi serb, gardianët shpërthyen në britma gëzimi dhe kaluan në ekstazë, pasi u mësua lajmi i rrëzimit të 2 Kullave Binjake. Sipas kryeministrit të Kosovës, ato ngjarje ndryshuan historinë. 

“I gjithë burgu i Quprisë në Serbi ushtoi nga thirrjet e ekzaltimit dhe çirrjet e delirit të gardianëve. Mendova mos kishin shënuar Jugosllavia ose Cërvena Zvezda në ndonjë ndeshje sportive. Mirëpo jo. Aeroplanët e marrë peng kishin qëlluar dhe rrënuar kullat binjake në Nju Jork. Pasditja e zymtë e burgut u bë ditë e zezë e 11 shtatorit 2001. I kisha kaluar 2 vjet e 4 muaj e gjysmë nga 15 vjet burg sa më patën dënuar.

Këto sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndryshuan rrjedhën e historisë dhe kuptimin e kësaj date, e cila do të jetë përgjithmonë përkujtim i jetëve të humbura, por edhe i rëndësisë së guximit dhe trimërisë përballë fatkeqësive.

Sot përkujtojmë 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve, nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan.

Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës”, shkruan Kurti me rastin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në SHBA.