Superiore/ Sot luhen dy ndeshje mjaft interesante

Pas ndeshjes mes Teutës dhe Partizanit, e cila përfundoi 1-0 në favor të durrsakëve, java e parë e kampionatit shqiptar vijon ditën e sotme me dy takime tepër të luftuara, Tirana-Skënderbeu në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe Laçi-Vllaznia në stadiumin e qytetit të Laçit.

Të gjithë presin këtë sezon një Tiranë krejt tjetër nga ajo e një viti më parë, pasi bardheblutë nisen gjithmonë me petkun e favoritit dhe merkatoja e verës ka bërë që të rriten edhe më shumë pretendimet për titull.

Edhe trajneri Orges Shehi është shprehur optimist, teksa kalendari i ka vënë përballë Skënderbeut në ndeshjen hapëse, me korçarët që edhe këtë sezon i kanë besuar elementit të ri dhe objektiv do të kenë padyshim mbijetesën.

Sezonin që lamë pas Vllaznia luftoi deri në fund për titullin kampion, të cilin e humbi vetëm për shkak të golavarazhit, ndërsa këtë vit ambiciet e shkodranëve janë sërish të mëdha dhe optimizmi gjithashtu, pasi edhe merkatoja ka pasuruar jo pak organikën.

Shkodranët do ta nisin sezonin pikërisht ndaj Laçit, me të cilën fituan ndeshjen e fundit të kampionatit të kaluar në “Loro Boriçi”, por këtë herë përballja zhvendoset në Kurbin, aty ku kuqeblutë kanë vite të tëra që nuk fitojnë.

Nga ana tjetër edhe bardhezinjtë kanë ndryshuar jo pak, pasi në pankinë nuk është më Shpëtim Duro, por malazezi Dejan Vukiçeviç, teksa edhe organika ka ndryshuar në më shumë se gjysmën e asaj që mbillu sezonin e kaluar, ndaj pritet me mjaft interes edhe debutimi i kurbinasve.