11 Shtatori: 20 vjet nga dita kur bota ndryshoi

Sulmet terroriste ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe ndaj Pentagonit më 11 Shtator 2001 ishin të pashembullta.

Jehona e këtyre sulmeve ndjehet ende edhe sot pas 20 vitesh  jo vetëm në Amerikë.

Qeveria federale e ka njohur 11 shtatorin si Ditën e Patriotizmit dhe Ditës Kombëtare të Shërbimit dhe Përkujtimit, (Patriot day and National day of service and remembrance) ku Uashingtoni dëshiron që populli amerikan të angazhohet në akte vullnetare në kujtim të të vdekurve, të mbijetuarve dhe njerëzve që u kujdesën për ndihmën e shpejtë.

Presidenti amerikan Joe Biden ka kërkuar unitet ndërsa vendi i tij përgatitet të kujtojë viktimat e sulmeve të 11 shtatorit.

"Uniteti është forca jonë," tha Biden të premten në mbrëmje, duke kujtuar viktimat e sulmeve.

“Pavarësisht se sa kohë ka kaluar, këto përkujtime kthejnë gjithçka me dhimbje sikur të keni marrë lajmin pak sekonda më parë,” tha presidenti.

“Ne mësuam se uniteti është e vetmja gjë që nuk duhet të humbas kurrë,” shtoi ai.

Presidenti Biden do të udhëheqë përkujtimet të shtunën dhe do të vizitojë tre vendet e sulmit me Zonjën e Parë, Jill Biden.

Do të ketë gjithashtu gjashtë momente heshtjeje për të korresponduar me kohën kur dy kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë u goditën dhe ranë, dhe momentet kur Pentagoni u sulmua dhe Fluturimi 93, avioni i cili u rrëzua.

Përkujtimet vijnë në një kohë të vështirë për Joe Biden, i cili është përballur me kritika të forta javët e fundit lidhur me tërheqjen e SHBA nga Afganistani, e cila i dha fund pranisë amerikane që filloi më pak se një muaj pas sulmeve të 11 shtatorit.