VIDEO nga SYRI TV/ Fact-Check, kostot e fshehura të Eko-Park. Sa është fatura reale e Porto Romanos

Pavarësisht propagandës së kryeministrit Edi Rama për shndërrimin e Porto-Romanos në Eko-Park, qeveria në asnjë moment nuk ka bërë transparencë për faturën dhe dëmin financiar që u shkaktohet qytetarwve shqiptar. Bashkitë Durrës, Shijak e Kavajë, pas më shumë se një viti krize me mbetjet urbane si edhe nën presionin e qeverisë ‘Rama’, u detyruan që të nënshkruanin kontrata miliona euroshe me kompaninë ‘Integrated Energy BV’ të Klodian Zotos, për të depozituar mbetjet në landfillin e Sharrës

Nga SYRI TV

Kryeministri Edi Rama publikoi më herët gjatë kësaj jave pamje të kuruara nga punimet për mbylljen e landfillit të Porto-Romanos dhe ndërtimin atje të një Eko-Parku. Rama e shoqëroi videon me një koment propagandistik.

‘Një oaz i ri rekreativ i qytetit aty ku deri dje xhiroheshin kronikat më të zeza të mediave ndërkombëtare për bombën mjedisore, ndërsa së shpejti do të jetë një hapësirë e gjelbëruar, me kënde sportive, zona pushimi e parkimi, bare dhe restorante për të kaluar ditën bashkë me fëmijët’, shkroi ai në rrjetet sociale.

Megjithatë, Rama i është shmangur gjithnjë kostove të dukshme e të padukshme financiare për ndërtimin e këtij Eko-Parku, si edhe pasojave të rënda indirekte në jetën dhe shëndetin e mijëra qytetarëve, që u shkaktuan nga një vendim më shumë se i nxituar i qeverisë së tij.

SYRI TV analizon se cilat janë këto kosto, të cilat kryeministri mundohet t’i mbulojë me video në rrjete sociale.

Landfilli i Porto Romanos, pika më e madhe e grumbullit të mbeturinave të qarkut Durrës, prej vitesh ishte shndërruar në një zonë të nxehtë mjedisore.

Në vitin 2018, qeveria ‘Rama’ vendosi mbylljen e saj, por nuk caktoi asnjë vend alternativ për depozitimin e mijëra ton plehrash të Durrësit dhe bashkive të tjera përreth.

Vendimi për mbylljen e landfillit të Porto Romanos dhe ndërtimit të Eko-Parkut u zbatua nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane (AKUM). Në janar 2021, AKUM-i, i cili në atë kohë drejtohej nga deputeti më i ri socialist, Alqi Bllako, zhvilloi një procedurë të dyshimtë tenderuese me vlerë 15 milionë euro.

Tenderi i mbyllur u fitua nga ‘De Mare Albania’, një kompani me kapital italian dhe që ishte bashkëpunëtorë e ngushtë e shoqërisë ‘Integrated Energy BV’, e cila fitoi po në mënyrë të dyshimtë kontratën koncensionare për landfillin e Sharrës në Tiranë.

Procedura për mbylljen e Porto Romanos është subjekt i një procedimi penal të nisur nga Prokuroria Speciale-SPAK, e cila po heton jo vetëm hartimin e dokumentave, por mbi të gjithë edhe kostot e fryra të projektit.

Gjithësesi, vlera 15 milionë euro është kostoja e dukshme e ndërtimit të Eko-Parkut në Porto Romano.

Por, nuk është e vetmja.

Mbyllja e landfillit të Porto Romanos shkaktoi emergjenca mjedisore në seri për bashkitë e Durrësit, Shijakut e Kavajës, të cilat depozitonin plehrat në atë vend-depozitim mbetjesh.

Pas më shumë se një viti krize dhe nën presionin e qeverisë ‘Rama’, këto bashki u detyruan që të nënshkruanin kontrata aspak favorizuese me kompaninë ‘Integrated Energy BV’ të Klodian Zotos, për të depozituar mbetjet në landfillin e Sharrës.

Në verën e këtij viti, Bashkia e Durrësit u detyrua të nënshkruajë kontratë me koncensionarin e Sharrës, të cilit, do t’i paguajë plot 50 milionë euro në 10 vitet e ardhshme.

Në një situatë të ngjashme, Bashkia e Shijakut vendosi t’i paguajë ‘Integrated Energy BV’ 2 milionë euro për 5 vitet e ardshme, me qëllim depozitimin e mbetjeve. Ndërkohë, edhe Bashkia e Kavajës ka nisur të paguajë koncensionarin e Sharrës për depozitimin e plehrave të saj, megjithëse nuk janë bërë publike kostot.

Nga ana tjetër, në krizë mjedisore është edhe Kruja, e cila me shumë mundësi do të dorëzohet tek kompania private me administrator të parë Klodian Zoton.

Pra, të gjitha këto kosto bashkiake, e shumëfishojnë investimin fillestar prej 15 milionë euro për mbylljen e Porto-Romanos dhe ndërtimin e Eko-Parkut.

Pagesat e bashkive për koncensionarin e Sharrës, nuk do të prekin vetëm financat e banorëve të tyre, por edhe të të gjithë qyterarëve shqiptarë.

Durrësi, Shijaku dhe Kavaja, megjithëse pritet të rrisin taksat për qytetarët e tyre, nuk do të jenë sërish në gjendje që të paguajnë faturat e larta të ‘Integrated Energy BV’.

Qeveria, nëpërmjet një plani mbështetjeje financiare, ka vendosur deri më tani që t’i japë një dorë Bashkisë së Durrësit. Kjo pritet të ndodhë edhe për bashkitë e Shijakut e Kavajës.

Natyrisht, qeveria menaxhon të ardhurat nga taksat kombëtare të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Pra, për plehrat e Durrësit, Shijakut e Kavajës do të paguajë çdo qytetar nga Tropoja në Sarandë, për faktin e vetëm se qeveria ‘Rama’ detyroi këto bashki që të dorëzohen tek kompania private e Klodian Zotos.

Krahas kostove direkte e indirekte, projekti kontrovers i mbylljes së Porto-Romanos, ka shkaktuar dëme të pallogaritshme edhe në shëndetin e banorëve të Shqipërisë së Mesme, të cilët për shumë muaj, sidomos gjatë verës, u detyruan të bashkëjetojnë me plehrat në rrugët e qyteteve.