VIDEO nga SYRI TV/ Largimi i Berishës, Basha plotësoi kushtin e Ramës

Largimi i ish-kryeministrit Sali Berisha nga Partia Demokratike, ishte kushti i Edi Ramës ndaj Bashës për bashkëpunim. 11 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, Rama i kërkoi publikisht Bashës që të largonte Berishën dhe sëbashku t’i hapnin rrugë një bashkëpunimi të panjohur më parë në 30 vitet e pluralizmit.

Nga SYRI TV

Vendimi për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, duket se është një nga kushtet e vendosura nga Kryeministri Edi Rama për Lulzim Bashës, në mënyrë që të shkohet drejt një bashkëpunimi dhe bashkëqeverisjeje. Më 14 prill, gjatë fushatës zgjedhore, Rama ia bëri publikisht ftesën Lulzim Bashës, dhe I vetmi kusht, tashmë I plotësuar ishte largimi i liderit historik të PD-së Sali Berisha.

Në këtë fjalim përpara socialistëve, Rama provokonte Bashën, se nuk ishte lider që mund të merrte vendime, por një udhëndjekës. E këtë herë duket se Basha i është bashkuar udhës së orientuar nga kryeministri.

Edhe vetë Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar nuk e përjashtoi një bashkëpunim me Socialistët dhe kryeministrin Edi Rama, por duke e justifikuar me domosdoshmërinë për ndryshime Kushtetuese, duke u shprehur kundër edhe ndryshimeve të vitit 2008.