Vietnami do të rihapë ishullin turistik për vizitorët e huaj për të mëkëmbur ekonominë

Hanoi - Vietnami planifikon të rihapë ishullin me plazhe, Phu Quoc, për turistët e huaj që nga muaji i ardhshëm, thanë autoritetet, ndërsa vendi po shikon mënyrat për të ringjallur një ekonomi që vuan nga bllokimet e zgjatura për shkak të pandemisë koronavirus.

Ishulli, 10 kilometra larg bregdetit të Kamboxhias pritet të hapet për një periudhë prove prej gjashtë muajsh, tha qeveria në një deklaratë të lëshuar vonë të enjten.

Vietnami, i cili aktualisht është i mbyllur për të gjithë vizitorët përveç qytetarëve që kthehen dhe investitorëve, kishte arritur ta përmbante virusin për pjesën më të madhe të pandemisë, por në tre muajt e fundit është përballur me një rritje të infeksioneve të nxitur nga varianti Delta. "Pandemia e zgjatur ka dëmtuar rëndë industrinë e turizmit," tha Ministri Vietnamez i Turizmit dhe Kulturës Nguyen Van Hung.

Turistët e vaksinuar plotësisht me një test negativ të koronavirusit do të kenë të drejtë të vizitojnë Phu Quoc, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ata mund të fluturojnë për në ishull me avione me qira ose komerciale.