Avioni i dytë special pritet të niset nga Kabuli

Një tjetër fluturim special është planifikuar të kryhet nga Kabuli për në Doha të Katarit të premten pasi 200 persona, përfshirë qytetarë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, u larguan nga Afganistani të enjten.

Zyrtarët e Katarit që kanë punuar me talebanët për të rihapur aeroportin e Kabulit thonë se ai është duke funksionuar. Për momentin, po kryhen vetëm fluturime speciale me charter.

Talibanët thonë se fluturimet komerciale do të rifillojnë së shpejti, por që kjo të ndodhë, do të duhet të ketë qartësi se kush do të merret me sigurinë e aeroportit. Zyrtarët e Katarit thonë se po flasin me talebanët për këtë.

Një seri furnizimesh ndihme nga Katari dhe Pakistani kanë arritur në Afganistan. OKB thotë se ka një nevojë urgjente për të dërguar ndihma humanitare në të gjithë vendin. OKB gjithashtu thotë se është gjithnjë e më shumë e shqetësuar për ngacmimet dhe kërcënimet me të cilat po përballet personeli i saj në zona.

Gazetarët afganë po sulmohen gjithashtu. Dy reporterë nga një gazetë e përditshme u rrahën rëndë me kabllo elektrike dhe kamxhik nga luftëtarët talebanë. Gazetarë të tjerë kanë thënë për BBC se ata u arrestuan dhe goditën me shuplaka disa herë dhe iu konfiskuan sendet e tyre.