‘Mashtruesi refugjat Veliaj’/ Këlliçi: Talent i lindur! Hall për Tiranën e hall për Shqipërinë

Kryetari i FRPD-së dhe njëherazi deputet i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, Belind Këlliçi, ka komentuar mashtrimet e Erjon Veliajt para refugjatëve afganë, se me demek kur ka qënë 10 vjeç ka ikur nga mali për në Greqi.

‘Në shfaqjen e radhës ai vjen në rolin e emigrantit. Trupi i një të rrituri nuk e pengon të hyjë në rolin e një 10-vjeçari që kapërcen male për të gjetur bukën e gojës dhe ndjekur ëndrrën e futbollistit’, shkruan Këlliçi në Facebook.

Postimi i plotë i Belind Këlliçit:

Mashtruesi refugjat Veliaj!

Skenës politike shqiptare nuk i kanë munguar asnjëherë aktorët komikë. Shqiptarëve u kanë parë sytë nga të gjitha, nga Qerosi kavalier tek rrobaqepësi konservator. Politikanë të roleve episodike që i sollën gaz e hare jetës parlamentare.

Por ndryshe nga këta gaztorë të vegjël oborresh, që kërkush s'i mori seriozisht, qëndron një talent i lindur. Një aktor shumëplanësh që di të interpretojë mjeshtërisht si shitësin e fiqve ashtu edhe taksidarin e shitësve të fiqve. Unik në zhanrin aktorial që lëvron, ndoshta si i vetmi ministër i mirëqënies sociale në botë, që edhe pse në moshë madhore dhe me rrogë ministri, martohet me kursimet e një pensionisteje.

"Ministri i varfër" ishte vetëm një prej roleve të tij skenike. Repertori i pasur, libreti i pasur, por mbi të gjitha mjeshtëria e aktorit, do t'i jepte një tjetër rol karriere, atë të kryebashkiakut. Dhe për sa kohë "sapuni për djathë" është ende në menunë e ditës, aktori atë punë do të bëjë, të aktrojë.

Në shfaqjen e radhës ai vjen në rolin e emigrantit. Trupi i një të rrituri nuk e pengon të hyjë në rolin e një 10-vjeçari që kapërcen male për të gjetur bukën e gojës dhe ndjekur ëndrrën e futbollistit.

Dikush në sallë mund të lotojë sepse i kujtohet vetja. Të tjerë do të duartrokasin për forcën e jashtëzakonshme të një fëmije që braktisi lodrat e shokët, për të gjetur rrugën e vështirë të suksesit. Mesazh i fuqishëm njerëzor. "Mos u dorëzo", "guxo", "provo përsëri", nga mali, nga deti, poshtë kamionit.

Interpretimi 10. Veçse nja dy gjëra kërcasin. Si në çdo sajesë teatrale në retrospektivë, edhe në këtë shfaqje premierë për publikun afgan, kohët dhe datat bëhen çorap.

10-vjeçari Erion Veliaj, i lindur në vitin 1979, i kishte ikur Shqipërisë në vitin 1989.

Po ku ta dijë artdashësi afgan se deri në fund të vitit 1990 kalimi i kufijve shtetërorë shqiptarë të merrte jetën.

Nga ta dinë të gjorët afganë se talebanët shqiptarë Ramiz Alia e Simon Stefani, që partia e Erionit i njeh për veteranë të nderuar, urdhëronin vrasjet në kufi.

Nga ta dinë afganët se po përdoren si publik pa para për një monodramë autobiografike, që raportin me të vërtetën e ka si nata me ditën. 

Po edhe në e ditshin, ç'u duhet?

Nuk e kanë votuar e nuk i përfaqëson.

Aktori është mall vendi. Hall për Tiranën e hall për Shqipërinë.

Aktori është gjelbërimi dhe betonimi. Inceneratori, trafiku, korrupsioni dhe kutërbimi.