Torino i jep lamtumirën e fundit Aronit të vogël, qyteti mban zi për 4-vjeçarin shqiptar

Itali - Shpërthimi për shkak të rrjedhjes së gazit të martën e 24 gushtit shkatërroi një ndërtesë në rrugën Bramafame 42, në periferinë veriore të Torinos, dhe i mori jetën të voglit Aron Tila, 4 vjeç, i cili vdiq i shtypur nga rrënojat. Të martën në funeralin e fëmijës ishte e pranishme dhe kryebashkiakja Chiara Appendino.

Ditë zie dje në Torino, më 31 gusht, me rastin e varrimit të vogëlushit shqiptar Aron Tila i cili vdiq pas shembjes së ndërtesës në periferi të Torinos në via Bramafame.

Në funeral, në kishën e Sant’Antonio Abate, gjithashtu mori pjesëe kryebashkiakja Chiara Appendino, e cila mori përsipër shpenzimet e funeralit dhe qendroi pranë prindërve të Aronit, mamasë Nertila, e cila u sëmur nga pamja e arkivolit si dhe babait Genci.

Për këtë ngjarje, flamujt u ulën në gjysmështizë në ndërtesat komunale dhe organet publike dhe private, si dhe në ndërtesat e shkollave të të gjitha niveleve dhe u pezulluan aktivitetet muzikore të planifikuara në sheshet publike gjatë gjithë ditës.

Ndërsa arkivoli kaloi, balona blu dhe të bardha u lëshuan në ajër.

"Duke pasur parasysh rrethanat – thuhet në urdhrin e kryebashkiakes - dhe duke marrë parasysh ndjenjën e përgjithshme të emocionit dhe solidaritetit të ngjallur, duke pasur parasysh se i gjithë qyteti është goditur nga ky lajm i dhimbshëm, marrim pjesë në dhimbjen e anëtarëve të familjes në mënyrë të prekshme me ngushëllimet solemne të qytetit”

Famullitari: "Sytë tanë janë mbushur me lot"

"Sytë tanë janë mbushur me lot". Ky është mesazhi i dërguar nga kryepeshkopi i Torinos Cesare Nosiglia për don Luciano Tiso, famullitarin që kreu ritin e varrimit. "Unë jam gjithashtu me ju - shtoi Nosiglia - me këto fjalë të trishta dhe me mua është e gjithë kisha e Torinos që nuk ka përgjigje për dhimbjen tuaj, përveç atyre të drejtësisë, por që ajo ndihet e bashkuar me të gjithë komunitetin tuaj në emër të Zotit ".

Rrëzimi i ndërtesës në Torino

Aron vdiq nën rrënojat e ndërtesës në Strada Bramafame 42, në periferi veriore të kryeqytetit Piemonte, e cila u rrëzua për shkak të një rrjedhje të dyshuar gazi që shkaktoi një shpërthim.

"Gjithçka ndodhi në një çast, Aron ishte në shtrat në dhomën e gjumit duke fjetur, e pashë por nuk mund të bëja asgjë për ta arritur atë se u bllokova", tha e dëshpëruar, Nertila, mamaja 34 vjeçare.

"Gjithçka u shemb në çast, unë nuk mund të bëja asgjë," përsërit gruaja, e shpëtuar vetëm sepse ishte në kuzhinë, e mbrojtur nga një mur. Nertila dhe burri i saj Genci (shqiptarë, të cilët kanë edhe dy fëmijë të tjerë) ishin shpërngulur nga Campania për të filluar një jetë të re në kryeqytetin Piemontez.