Detaji prekës/ Aksidenti me 5 të vdekur, shoferi i furgonit e bënte atë rrugë prej 20 vitesh

Pas aksidentit tragjik me pesë viktima që ndodh pasditen e sotme në Qafë-Muzinë, ka reaguar edhe kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, i cili ka ndarë një detaj prekës në lidhje me shoferin e furgonit, i cili ndërroi jetë.  

Golemi tregon se shoferi i furgonit Bardhi Proda, ishte një i afërm i tij dhe se e bënte atë rrugë prej 20 vitesh dhe kurrë nuk ka bërë gabime në timon.

 “Pa fjalë nga çfarë ndodhi sot në Muzinë, ku sa hap e mbyll sytë u këputën 5 jetë në një aksident tragjik. Pesha e dhimbjes është e rëndë për këdo që dëgjon një lajm të kobshëm si ky. Shumë më shumë për mua që humba të afërmin tim, Bardhin, shoferin fatkeq që e bënte atë rrugë për gati 20 vjet e kurrë nuk bëri një gabim në timon. Hetimet do të zbardhin të vërtetën e ngjarjes, që me siguri do të harrohet si shumë të tjera. Por ajo që duhet përsëritur vazhdimisht e vazhdimisht nga të gjithë ne, është një apel i thjeshtë: Mos rrezikoni jetën tuaj kur jeni në timon dhe as të të tjerëve që kalojnë në rrugë. Thirrini mendjes, qoftë me shpejtësinë, parakalimet e gabuara apo deri te përdorimi i celularit. Ngushëllime familjes Proda, familjes Korçari dhe Fediaieva. Shërim të shpejtë edhe për vajzat që morën lëndime!” ka shkruar kryebashkiaku.