Atentati ndaj Bledar Muçës / Kush është ndërmjetësi me nofkën ‘Tolja’, ja pistat që po hetohen

Kur kanë kaluar më shumë se dy ditë nga atentati ndaj 34-vjeçarit Bledar Muça, autoritetet nuk kanë ende një pistë kryesore për vrasjen dhe as faktin se kush qëndron pas krimit.

Nga mënyra se si është kryer ekzekutimi, autorët e krimit të rëndë dyshohet të jenë vrasës me pagesë dhe profesionistë në këtë fushë. Muça u ekzekutua me breshëri plumbash rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të hënës në lokalin e tij në pedonalen e qytetit, ndërsa bashkë me të u plagosën edhe pesë persona të tjerë, katër prej të cilëve klientë të rastësisht të lokalit.

PAZARET PËR KUMARIN

Përveç lidhjeve familjare të Bledar Muçës me ish-anëtarin e organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi” Roland Shyti, një tjetër pistë mbetet edhe ajo e çështjeve të konkurrencës. Viktima menaxhonte edhe disa qendra bastesh dhe lojëra fati në zonën e Lushnjës. Një pjesë të këtyre bizneseve, ai i kishte regjistruar në emrin e gruas së tij, me të cilën kishte dy fëmijë të mitur.

Burimet thanë jo zyrtarisht, se rreth dy javë më parë, persona të paidentifikuar kanë rrahur një person në qytetin e Lushnjës, me nofkën “Tolja”, i cili kishte luajtur rolin e ndërmjetësit midis një grupi nga Vlora dhe viktimës Bledar Muça, ndërmjetësim i realizuar rreth një vit më parë.

Sipas burimeve, personat në fjalë kishin rënë dakord që në Lushnje të hapnin kazino duke i kamufluar si bare. Për këtë arsye, ata kishin hyrë në kontakte me Bledar Muçën dhe persona të tjerë. Në një lokal, emri i të cilit është i njohur për redaksinë, madje ishin vendosur makinetat e fatit. Por, rreth tri javë më parë, siç thonë burimet, Bledar Muça kishte prishur marrëdhëniet e biznesit me grupin nga Vlora. Pas kësaj, ky grup ka dhunuar barbarisht ndërmjetësin e njohur me nofkën “Tolja”, pasi ky i fundit së bashku me grupin e Bledar Muçës kanë marrë vetë nën kontroll menaxhimin e kazinove në Lushnje dhe aksin Rrogozhinë-Fier. Përpos pistave të tjera, kjo është pista ku po përqendrohet Policia në hetimet për atentatin që i mori jetën 34-vjeçarit, me biznese të shumta në qytetin e Lushnjës.

ARMËT, PA NUMËR SERIE

Pavarësisht se në automjetin e djegur pas ekzekutimit u gjetën dy armë zjarri të llojit kallashnikov, verifikimi i tyre nuk ka dhënë asnjë detaj për hetuesit. Armëve u janë fshirë numrat e serisë, për të shmangur kështu identifikimin. Kjo do të thotë gjithashtu se vrasësit janë kujdesur për të shmangur çdo gjurmë, duke e bërë atentatin të mirorganizuar. /Panorama/