Rritet bilanci: 10 marinsa dhe ushtarë amerikanë të vrarë në Kabul

Vazhdon të rritet bilanci i viktimave amerikane nga sulmet në Kabul.

Sipas Fox News, deri më tani janë të paktën 10 marinsa dhe ushtarë amerikanë të vrarë.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarët amerikanë për këtë rrjet televiziv. Nga sulmet janë shënuar të paktën 40 viktima.

Mësohet se një degë e Shtetit Islamik ka ndërmarrë sulme në një zonë pranë aeroportit të Kabulit.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha në një deklaratë se "një numër" i anëtarëve të shërbimit amerikan gjetën vdekjen në sulm, por nuk dha hollësi të tjera. Disa të tjerë u plagosën dhe "një numër afganësh" gjithashtu ishin viktima, tha ai në një deklaratë.

Ka pasur të paktën dy shpërthime pranë aeroportit të Kabulit të enjten mes një përpjekjeje madhore dhe kaotike të evakuimit nga Afganistani, tha Pentagoni, me civilë dhe anëtarë të forcave ushtarake amerikane në mesin e viktimave të asaj që u përshkrua si një "sulm kompleks".

Një burim i njohur me informacionet që merr Kongresi Amerikan tha se zyrtarët amerikanë besojnë fuqishëm se dega afgane e Shtetit Islamik, e njohur si Shteti Islamik Khorasan (ISIS-K), ishte përgjegjës për shpërthimet. ISIS-K kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe talebanët.