Shpërthimet në Kabul/ Zyrtarët amerikanë: Përgjegjës është Shteti Islamik Khorasan

Ka patur të paktën dy shpërthime pranë aeroportit të Kabulit të enjten mes një përpjekjeje madhore dhe kaotike të evakuimit nga Afganistani, tha Pentagoni, me civilë dhe anëtarë të forcave ushtarake amerikane në mesin e viktimave të asaj që u përshkrua si një "sulm kompleks".

Një burim i njohur me informacionet që merr Kongresi Amerikan tha se zyrtarët amerikanë besojnë fuqishëm se dega afgane e Shtetit Islamik, e njohur si Shteti Islamik Khorasan (ISIS-K), ishte përgjegjës për shpërthimet. ISIS-K kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe talebanët.

Një zyrtar talebanë tha se të paktën 13 persona u vranë, përfshirë fëmijë, dhe shumë roje talebanë u plagosën. Një zyrtar amerikan, duke cituar informacionet paraprake, i tha agjencisë Reuters se deri në 5 anëtarë të personelit ushtarakë amerikanë mund të jenë plagosur, përfshirë të paktën një seriozisht.

Një spital kirurgjik i drejtuar nga një organizatë bamirëse italiane tha se po trajtonte më shumë se 60 të plagosur. Sulmet ndodhin pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët i kërkuan afganëve të largoheshin nga zona për shkak të një kërcënimi nga militantët e Shtetit Islamik.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se një shpërthim ndodhi pranë Hyrjes Abbey të aeroportit dhe tjetri afër Hotelit Baron aty pranë. Dy zyrtarë amerikanë thanë se të paktën një nga sulmet duket se ishte shpërthim vetëvrasëse.