VIDEO/ Selmanaj nuk pranon vrasjen e Bullarit, policia: Kemi prova të forta

Bledar Selmanaj, 39-vjeçari i cili u prangos ditën e djeshme nga Policia e Vlorës për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljano Bullari në fshatin Babicë, në dëshminë e tij në komisariat ka mohuar krimin e bërë.

Sipas burimeve në Policinë e Vlorës, 39-vjeçari ka deklaruar në komisariat se nuk e ka kryer ai krimin duke e mohuar kategorikisht se është autor i vrasjes.

Gjithashtu personi në fjalë ka mohuar edhe faktin e gjetjes së groposur të armës së zjarrit, një karikatori dhe rrobave të përdorura ditën e ngjarjes duke thënë se nuk janë të tijat.

Sipas tij, ai është përfshirë gabimisht në këtë ngjarje. 39-vjeçari pohon lidhjen dhe miqësinë me Xhuljano Bullarin, por tregon se nuk ka qëlluar ai kundrejt tij.

Në komisariat i ka qëndruar stoik idesë së tij dhe nuk ka pranuar fajësinë, teksa Policia e Vlorës e konfirmon si autorin e ngjarjes për shkak të provave të pakundërshtueshme të gjetura në banesën e tij.