Rruga dytësore Plepa-Golem, 4,5 milionë dollarë

Rrugët sekondare Plepa-Golem në të dyja kahet e autostradës do t’i nënshtrohen rindërtimit dhe rehabilitimit që parashikohet të përfundojë në harkun kohor të një viti. Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi se kompania fituese që do të zbatojë projektin është “Cemil Ozgur Insaat Sanayi Ve Ticaret AS” me një ofertë fituese 5.52 milion dollarë përfshirë në këtë vlerë edhe tatimin mbi vlerën e shtuar.

“Periudha e ndërtimit është 12 muaj. Projekti konsiston në rikonstruksionin e rrugëve sekondare nga rrethrrotullimi i Plepave tek nënkalimi i Golemit në të dyja anët që identifikohen nga projektuesi si “AM” dhe “AD”. Rehabilitimi i rrugës ndiqet nga ndërtimi i rrjeteve të reja të faciliteteve nëntokësore si kullimi, elektrike si dhe ndriçimi i rrugës.

Objektivat kryesore janë : përmirësim i aksesit për potencialin turistik të zonës me qëllim zhvillimin e turizmit; rritja e cilësisë së jetës për komunitetin dhe pushuesit; rritja e mundësisë për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në zonën turistike; përmirësimi i lëvizjes së mjeteve dhe njerëzve brenda zonës turistike si dhe përmirësimi i qarkullimit të makinave nga zona turistike drejt Kavajës, Durrësit apo Tiranës” thuhet në argumentin e FSHZH.

Për të arritur objektivat Fondi nënvizon se është parashikuar rindërtimi i rrugëve, kanaleve dhe shëtitoreve, kryesisht në pjesën ekzistuese.

Ndërhyrja në rrugët sekondare që përfshin zonën e Golemit është kërkuar prej kohësh edhe nga turoperatorët të cilët kanë nënvizuar se kjo do të lehtësonte qarkullimin e turistëve të cilat ankohen vazhdimisht për trafikun. Episodet e rënduara të këtij të fundit nuk kanë munguar edhe këtë sezon kur pushuesit janë detyruar të presin më orë të tëra.

Zgjidhja edhe këtë herë është mëndur të jetë vetëm rikonstruksioni i rrugëve ndërkohë që herë pas here është nënvizuar se parashikimi i ndonjë vepre arti që mundësonte lehtësim më të madh të fluksit nga rrugët sekondare duke e futur një pjesë në rrugën kryesore përmes zgjidhjeve alternative. Sigurisht kjo do të kishte kosto më të lartë sesa rikonstruksioni i thjeshtë në zbatim.