VIDEO NGA SYRI TV/ Zjarri te Sarajet, aktivisti Ervin Goci: Po tentohet të shembet!

Aktivistë, gazetarë por edhe politikanë akuzojnë kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe qeverinë se fshihet pas zjarrëvënies për t'i hapur rrugë ndërtimit të kullave shumëkatëshe në vendin ku ndodhen Sarajet. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se pas komunikimit me kryeministrit është vendosur shpronësimi i pronarëve për t'u marrë nën administrimin e Bashkisë. Por sipas aktivistit Ervin Goci, ndryshimi i pronësisë ishte qëllimi, pasi pronarët kanë qenë të interesuar për ruajtjen e kësaj godine.

Nga SYRI TV.

Zjarri tek Sarajet e Toptanëve ka shkaktuar reagime të forta nga shoqëria cvivile dhe nga politika. Aktivistë dhe gazetarë kanë akuzuar Bashkinë e Tiranës dhe qeverinë se fshihet pas projektit për shkatërimin e kësaj godine për t'i hapur më pas rrugë projektit të përfolur për ndërtimin e kullave.

Aktivisti Ervin Goci u shpreh se kjo godinë u la qëllimisht e pambrojtur nga Ministria e Kulturës.

Pas reagimeve të menjëhershme të aktivistëve të shoqërisë civile, kryebashkiaku Erion Veliaj nxitoi të nxirrte një reagim, duke deklaruar se ka folur me kryeministrin Edi Rama për të shpronësuar pronarët e kësaj godine dhe ajo të merret në administrim nga Bashkia e Tiranës: "Dje, nën stilin e Shkollës Kosova, u tentua djegia e objektit nga dritarja e pasme që pronarët të ndalojnë shpronësimin. Në mesnatë bisedova me kryeministrin Edi Rama i cili ka autorizuar shpronësimin e përshpejtuar për Sarajet si një nga aktet e para të qeverise së re. Ta harrojnë që aty do ketë ndërtim, e ta harrojnë që aty do ketë zjarr gjer sa te behet shpronësimi. Nga sot ka nisur regjimi 24h roje!"

Por kësaj deklarate i është kundërpërgjiur aktivisti Ervin Goci, i cili u shpreh se pikërisht ky është qëllimi, që prona t'u merret pronarëve e më pas t’i ndryshohet identiteti siç u bë me Teatrin Kombëtar.

Sipas Gocit, kjo godinë ka rezistuar fal interesit të një prej pronarëve për ta mbrojtur e për të mos i ndryshuar identitetin.

Por tashmë pritet që kësaj godine t'i ndryshohet pronësia, por pikëpyetjet që ngrihen janë mbi faktin se përse Ministria e Kulturës nuk e kishte në mbrojtje këtë godinë të kategorizuar si Monument Kulture.