Zjarri tek 'Sarajet', Policia e Tiranës del me njoftim, flet edhe Veliaj

Një zjarr që ka rënë tek zona e njohur si Sarajet në zemër të Tiranës mbrëmjen e së hënës ka rezultuar se është vënë me qëllim. Policia e Shtetit tha vetëm se “më datë 16.08.2021, rreth orës 23:40, në rrugën “Abdi Toptani”, ka rënë zjarr në një lokal, ku ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit”.

Kurse kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj pohoi se zjarri ishte vënë me qëllim e kamerat e sigurisë e kishin filmuar zjarrvënësin.

Erion Veliaj shkroi në Twitter: "Mbrëmë në orën 23:49, Policia Bashkiake pranë AMK - po, ata që sulmonte Presidenti - kanë njoftuar Sallën Operative për zjarrvënie pranë Monumentit të Kulturës njohur gjerësisht si Sarajet. Në pak minuta zjarrfikësit e Tiranës e kanë shuar zjarrin e qëllimtë në 2 vatra.

Në dallim nga shumë objekte për të cilat bëhet zhurmë pa lidhje si Lodrat tek Liqeni apo ngrehina e tallashit te TK, objekti “Sarajet” është Monument Kulture. Dje, nën stilin e Shkollës Kosova, u tentua djegia e objektit nga dritarja e pasme që pronarët të ndalojnë shpronësimin.

Kamerat e sigurisë e kanë kapur zjarrvënësin teksa largohet përballë Torre Drin, Policia eShtetit po punon për ta çuar në pranga. Por zjarrvënësit e vërtetë janë porositësit - edhe për këta nuk do të ketë mëshirë. Politikanë që ditën merakosen për Lodrat e natën, zjarrin qytetit!

Ne mesnate bisedova me Kryeministrin Edi Rama i cili ka autorizuar shpronësimin e përshpejtuar për Sarajet si një nga aktet e para të qeverisë së re. Ta harrojnë që aty do të ketë ndërtim e ta harrojnë që aty do të ketë zjarr gjer sa të bëhet shpronësimi. Nga sot ka nisur regjimi 24 orë me roje!"