Kokëdhima kundër refugjatëve afganë: Trojet shqiptare nuk duhet të mbyten me të huaj

Kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, u deklarua kundër planeve të SHBA-ve për të kërkuar strehë në Shqipëri dhe Kosovë për jetët e rrezikuara të mijëra afganëve që punuan 20 vitet e fundit për trupat e koalicionit anti-terror.

Ai tha se nëse ndodh kjo, trojet shqiptare do të izolohen dhe kthehen në të padëshiruara.

Reagimi i Kokëdhimës:

Shqiptarët i kuptojnë dhimbjet e refugjatëve, sepse kanë më shumë se gjysmën e popullsisë të shpërndarë nëpër botë. Ata e mirëkuptojnë shqetësimin e SHBA-ve, aleatit tonë të vetëm strategjik, për të kërkuar strehë në Shqipëri dhe Kosovë për jetët e rrezikuara të mijëra afganëve që punuan 20 vitet e fundit për trupat e koalicionit anti-terror.

Trojet shqiptare nuk duhet të mbyten me të huaj. Pa kapacitete dhe qeverisje efektive, vihet në pikëpyetje siguria dhe ekzistenca jonë kombëtare. Nëse ndodh, ato do të kthehen në kampe të rrethuar me tela me gjemba, pa lëvizje të lirë, pa turizëm, pa perspektivë europiane, por si vende të padëshiruara.

E ardhmja e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të jetë kthimi i bijve dhe bijave që u përzunë nga keqqeverisja e politikanëve vasalë dhe të kapur që janë gati të bëjnë çdo koncesion për të mos ikur nga pushteti.