Si dhe nga kush, u katandisën shqiptarët të përçarë për një këngëtar serb?!

Pse nxiti kaq shumë debat e polemika dhe si e ndau shoqërinë në gjysmë, ftesa për këngëtarin serb Bregoviç në koncertin e Korçës?

Çfarë fshihet pas kësaj, a ka një regji politike, dhe a është i interesuar Rama të inaugurojë Ballkanin e Hapur?

Gazeta Mapo sjell qëndrimet dhe përplasjet e emrave më të njohur në Prishtinë e në Tiranë që janë përfshirë me një zjarr si rrallëherë, në këtë përleshje publike

Motorrët e kërkimit në Google e Youtube në hapësirën shqiptare janë çmendur këto ditë. Mjafton të fusësh gërmën e parë të emrit, e më tej nëse i shton dhe të dytën, kupton qartë për çfarë po e pyesin njerëzit paisjen e tyre besnike që ka memorie e të dhëna jo të pakta. Goran Bregoviç.

I pranishëm në festivalin e Korçës me 18-22 gusht. Kush është, ç’ka bërë, këto janë interesat e më pak të informuarve. Po ata që dinë më shumë, kërkojnë tjetër gjë. A është nacionalist, a i ka kënduar paramilitarëve serbë e masakrave të tyre.

Pas tallandisë së madhe, ku u përfshinë shumë të pamençur e zëra folku, e jo pak reperë të paditur, disa gjëra nisën të qartësohen.

Bregoviç nuk i paska bërë himne krimeve, me hitet e tij si Kallashnikov, dhe nuk i ka thurur lavde mënxyrave serbe në Ballkan. Por ai, si zë publik, si intelektual i angazhuar, nuk i ka dënuar ato. Pra në një farë mënyrë është pajtuar. Dhe sot ka një konsensus që këngëtari serb është një nostalgjik i Jugosllavisë, projekt për të cilin ka dyshime se kërkon të ringjallet me atë që nisi si minishengen dhe sot quhet Ballkani i Hapur.

Dhe skeptikët, këtë kanë në mendje. Kritikët kanë shkuar edhe më larg. Ata thonë se Bregoviç vjen në koncertin e Korcës, pikërisht për inaugurimin e kësaj iniciative.

Duhet pranuar se kjo figurë dhe ftesa për të për të kënduar në festivalin e birrës Korça, e ndau shoqërinë përgjysëm. Dhe u zhyt gjithë sfera publike në një beteje të egër.

Ai ishte në Tiranë në 2006 ku mori edhe çelësin e kryeqytetit nga Edi Rama dhe mbajti një koncert. Edhe atëherë pati qortime për venerimin që ju bë këngëtarit nacionalist serb. Por jo në këtë përmasë sa sot. Gazeta Mapo, po sjell këtu një përmbledhje të qendrimeve të emrave më të spikatur në debatin publik për këtë çështje në Prishtinë dhe Tiranë.

“Pse po e urrejmë ne Goran Bregoviçin?”, pyet në nisje të një shënimi, Lis Bukuroca. Publicisti ka një ndjesë në këtë rast, pasi ka bërë hulumtimet e tij.

“Ai thotë përafërsisht këtë në një intervistë: Unë e kam atin kroat katolik, nënën ortodokse serbe, bashkëshorten myslimane. Në cilën anë të rreshtohesha, kundër kujt të gjuaja, (me armë mendohet)? Kundër nënës, babait apo bashkëshortes? Prandaj mbetem asnjanës! Hulumtova dhjetëra gazeta mbrëmë dhe sot: shqiptare, serbe, boshnjake e kroate. Nuk gjeta asgjë, pos atij fakti, të cilin e përmenda dhe se ai ishte i pari në ish-Jugosllavi, që kishte kënduar në gjuhën shqipe një rock-këngë! Ndoshta po e urrejmë pse këndon serbisht?! Nëse është kjo, atëherë duhet ta kemi të qartë se me gjuhën nuk kemi pasur probleme, por me shtetin e Serbisë. As me popullin e Serbisë jo, por vetëm me shtetin serb! Përafërsisht atë gjuhë e flasin edhe kroatët e malazezët!”, tha Lis Bukuroca.

Në një reagim, Berat Buzhala e quan koncertin e Bregovicit në Korçë një after party të Ballkanit të Hapur.

“Dikush po thotë “po çfare faji ka Bregoviçi për këtë gjë”. Ka edhe shumë bile. Si është e mundur që një artist kaq kulminant, sa thuhet që është, qëndron neutral ndaj një segregacioni të tillë? Si është e mundur që ai dhe mijëra kolegë të tij nuk e thoshin asnjë fjalë për fatin e zi të shqiptarëve? Me qenë neutral, ose me pretendu që nuk po sheh, kur përpara vetes e ke një elefant sa bjeshka, i ke çu ujë Millosheviçit. Njerëzit kanë reagu, me të drejtë, për aparteidin në Afrike të Jugut, e ky artisti kulminant bashkë me mijëra kolegë të tij nuk reagonin për Kosovën. Unë nuk e njoh asnjë serb me ndikim në botën e tyre që ka reagu për Kosovën. Serbët, me shumicë absolute e kanë aprovuar çdo politikë të Sllobes. Ata ishin të hidhëruar me të përse e la Kosoven t’i ikte, e jo pse shkaktoi aq shumë gjakderdhje”, shprehet Berat Buzhala.

Kim Mehmeti është i qartë. Ai e drejton gishtin tek Edi Rama.

“Dhe e gjithë kjo zhurmë ka për qëllim të fshehë diçka më të dhembshme se dehja me birrën e Korçës: të vërtetën se ai që na e solli në Tiranë e Durrës Vuçiqin, e bëri Shqipërinë vend të cilin edhe s’ka kush e viziton përpos nipave të Millosheviqit. Si dhe të vërtetën se, si në të shkuarën, po ashtu edhe sot, shumë politikanë të Tiranës, kur dehen nga pushteti, me asgjë nuk dallojnë nga i dehuri nga birra: i jargaviten Beogradit”.

Andi Bejtja e pranon se e ka dëgjuar herët Bregoviçin. Por, ai thotë se ne duhet të tregojmë ndjeshmëri për dhimbjen që kanë kaluar vëllezërit kosovarë.

“E pra shqiptarët e Kosovës janë vizitorë të përhershëm në shtëpinë tonë të madhe gjatë gjithë vitit e sidomos në verë, janë vizitorët më të shumtë në numër dhe sinqerisht nuk e kuptoj atë “kodoshin” e Bashkisë së Korçës, qoftë dhe vetëm nisur nga pikëpamja komerciale, (ti lemë të tjerat), që duke patur këtë fluks kosovarësh, të shkojë e t’i kapë dora në një thes me këngëtarë, pikërisht këtë…duke rrezikuar në menyrë të panevojshme madje dhe festën në vetvete”, shkruan Bejtja.

Ata që e kanë kundërshtuar ardhjen e këngëtarit serb kanë gjetur një provë jo të vogël për qendrimin e tyre refuzues. Në vitin 1999, kur NATO nisi fushatën bombarduese ndaj Beogradit për të çliruar Kosovën, ai paska mbajtur një koncert në Selanik pikërisht për të dënuar këtë ndëhyrje ushtarake.

Ky koncert u mbajt në prill të vitit 1999. Ishte një demostrim i hapur kundër Aleancës së Atlantikut. Ylli i mbrëmjes ishte Goran Bregoviç.

Nga pamjet rezulton se në mesin e publikut në sheshin Aristotel të Selanikut valëviteshin me dhjetëra flamuj serb. Por Musfata Nano mendon ndryshe. Ai ka lënë të kuptohet se duhet të ndahemi nga ajo e kaluar e të shohim drejt së ardhmes.

“Disa njerëz nuk kanë gjetur një mënyrë më të mirë për të mbrojtur praninë e Goran Bregoviçit në Korçë, sesa të thonë që “Bregoviçi nuk është ashtu si mendohet”, që “nuk ka asnjë provë që ai ka qenë antishqiptar” etj. etj. Një mbrojtje e dobët, e ndrojtur, frikacake. Po ja, ta zëmë se ai ka thënë ndonjë gjë anti-shqiptare kohë më parë. Fakti që ai ka dëshirë të vijë në Shqipëri, do të thotë se nuk është më anti-shqiptar, se është penduar për ç’ka thënë. Po të ishte anti-shqiptar, as që do ta çonte në mendje të vinte këmbë në Shqipëri. Pastaj, ai mund të vijë sa herë të dojë, për sa kohë që në Shqipëri ka njerëz që duan ta dëgjojnë. Dhe në Shqipëri, dihet tanimë, ka plot njerëz që duan ta dëgjojnë. Si t’u themi këtyre të fundit? T’u themi “ta harrojnë Bregoviçin”, sepse kështu duan ca policë të mendimit e ca gardianë të medemek patriotizmit? Ne nuk mund të mbetemi pengje të një anti-sllavizmi të paketuar jetë e mot”, ka pohuar Nano.

Enver Robelli, thotë se teksa ka thirrje për të harruar të shkuarën, Serbia nuk bën asnjë hap në drejtim të reflektimit. Madje nuk ka asnjë pendesë për krimet që ka kryer.

“Njerëzit shohin. Kur një politikan shqiptar apo analist oborri në Tiranë thotë “harrojeni të kaluarën”, Serbia kujdeset t’i nxjerr lakuriq faqe botës politikanin shqiptar dhe mbështetësit e tij militantë. Britmat “harrojeni të kaluarën”, “arti bashkon popujt” etj. janë jo vetëm cinike, por edhe fyese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kosova nuk dëshiron të detyrojë askënd në Shqipëri të solidarizohet me vuajtjet e popullit shqiptar në Kosovë. As nuk mund ta bëjë këtë, është punë ndërgjegjeje e secilit. Por Kosova do të kundërshtojë çdokënd kur fyhen viktimat në emër të njëfarë “bashkëpunimi rajonal” duke e injoruar kryeproblemin: refuzimin e Serbisë për të pranuar shtetësinë e Kosovës”, shkruan Robelli.

Andi Bushati tha se ka qënë prezent dhe e ka ndjekur koncertin e Bregoviç në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, kur kengëtari qe i ftuar nga Rama në atë kohë kryetar Bashkie, që i dha edhe çelësin e kryeqytetit. Po ai ka një analizë për vizitën që do bëjë kësaj radhe. Bushati ka parasysh sfondin politik, dhe gjen këtu një përpjekje diabolike të Ramës për të forcuar lidhjen me Beogradin dhe Vuçiç duke anashkaluar Kosovën dhe fshirë kujtesën.

“Prej ditësh po shoh me kureshtje, sesi,me regji qëndrore, të gjithë mbrojtësit e krimve më të mëdha të Ramës, të gjithë ata që kanë hedhur firma për shembjen e teatrit, që i kanë vënë gjoksin vjedhjeve me koncesione dhe PPP, që kanë amnistuar skandalet mostruoze elektorale, që kanë mbyllur sytë për hashashin, për Habilajt, Avdylajt e kështu me radhë, janë bërë mbrojtës të flaktë pro performancës së Goran Bregoviçit në Korçë. Pra i njëjti kor është hedhur në betejë si me telekomandë. Dhe sot kemi mbëritur në pikën kur debati rreth koncertit të Bregoviçit në Korçë po shërben si ndihmesa me sfond kulturor për marëdhënien okulte politike mes Ramës dhe Vuçiçit. Pikërisht për këtë ai duhet bojkotuar. Jo për faktin se meloditë e autorit të “Kallashnikov-it” frymëzuan për krime çetnikët serbë, por sepse fabula e tij po përdoret sot, që Tirana dhe Beogradi të projektojnë politika të së nesërmes, që ngrihen mbi fshirjen e kujtesës”, thotë Andi Bushati.

Mero Baze shkruan se nxitës i këtij debati është Albin Kurti. Dhe sipas tij, e gjitha është një debat i Kosovës kundër Shqipërisë.

“Por në këtë debat duhen ndarë tri gjëra të qarta, me të cilat po spekulohet. E para, ky nuk është një debat kulturor që ndan Shqipërinë nga Kosova, por një debat politik, i iniciuar nga Kosova e Albin Kurtit kundër Shqipërisë. Për fat në Shqipëri është fare e qartë, pasi kritikët e ardhjes së tij janë fansa të Bregoviçit, por meqë janë dhe fansa të Albinit, tani janë kundër ardhjes së tij. Çdo përpjekje tjetër për ta paraqitur si debat kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe akoma më keq, për të dëshmuar që Kosova ka shije muzikore elitare dhe Shqipëria i ka mesjetare, pasi ka qenë në komunizëm, është diabolik, jo se tenton të fyejë Shqipërinë, por fyen vetë kundërshtarët e Bregoviçit në Kosovë. Së dyti, nxitës i këtij debati është Albin Kurti, kurse kori është zgjeruar me “kosovocentristë” dhe një amalgamë mediesh, sponsorizuar nga biznesmenë të tipit “Birra Peja”, që lëndën e parë e blen në Serbi, si biznesmen luajal i Serbisë, dhe tregun e shitjes e do në Shqipëri, si patriot shqiptar.

Grupi që mund të quhet “kosovocentrist”, është nga ata që luftojnë të kenë identitetin tyre të ndarë nga Shqipëria, dhe së bashku me falangat e Kurtit, kanë rrëmbyer gjithë arsenalin e racizmit dhe komplekseve të inferioritetit dhe i kanë nisur në luftë kundër Shqipërisë”, shton Baze, i cili thotë se Kurti që u përbetua për të fituar pavarësinë nga Serbia, po ia del të fitojë pavarësinë nga Shqipëria. Publicisti Fatos Lubonja, duke komentuar ngjarjen, thotë se Bregoviç është një ithtar i ish-Jugosllavisë. Lubonja sheh një dorë të Edi Ramës në gjithë këtë, për të nxjerrë si primitivë ata që kundërshtojnë projektin e Ballkanit të Hapur, nisëm që u firmos pak ditë më parë me Vuçiç e Zajev në Shkup.

“Bregoviçi, nuk është nga ata që njohim ne, përfaqësuesi i nacionalizmit serb. Ai është një figurë që konsiderohet jugonastalgjik, e këto janë pjesa më anti-nacionaliste e Jugosllavisë. Nëse na duhet paqe, bashkëpunim, ky fare mirë mund të përdoret si intelektual, që të kontaktojë me këngëtarë e intelektualë të tjerë shqiptarë për këtë frymë.

Mirëpo, në vend që të ndahen gjërat, ne i bashkojmë. I ka bashkuar Rama sipas meje, ai është regjia. Duke qenë Bregoviçi një figurë e tillë, ky e merr këtë figurë dhe ndikon nëpërmjet Bashkisë së Korçës që të vijë ky në koncert, për të promovuar ‘Ballkan Open’, por edhe për të diskredituar, ulur, kundërshtarët e tij politikë. Kundërshtarët e ‘Balkan Open’, duke thënë që ‘ja cilët janë këta’. E kjo është temë që ha debat.

Një Bregoviç krijon gjithë këtë problem? Atëherë je qasur gabim si politikan. Ku janë gabimet? Njëri gabim kryesor për mendimin tim është që këtë punë duan ta bëjmë nga lart-poshtë, jam për paqe thotë ky, jam që shqiptarët, kosovarët të jetojnë… Po mirë mo si bëhet kjo, bëhet me urdhrin e peshkut nga ty, që shkon takohesh me Vuçiçin, që biles kur ta do puna vë edhe flamurin e Shqipërisë së Madhe në Kryeministri, para ca kohësh. Apo kjo bëhet nëpërmjet të tjera politikave, të tjera mjeteve. Mjetet e intelektualëve që krijon hapësira kulturore, duke respektuar gjithmonë ndjeshmëritë e të tjerëve. Ti flet për Ballkan të hapur dhe prish Kosovën me Shqipërinë.

Vetë ky konflikt kaq i ndezur tregon që s’ke përgatitur një terren paqeje të vërtetë. Deri dje ke qenë me projektin e ndryshimit të kufijve të Kosovës, indirekt e ka pranuar, që është dhe ky problem. Gabimi tjetër është pikërisht tek mbështetja që mendon ky, ‘boll të kem mbështetje amerikane, nga jashtë’, po ç’rëndësi ka se ç’thotë Albin Kurti. Janë primitivë, unë kam mbështetje’. Por përsëri është gabim”, deklaron Lubonja./Mapo