Jugosllavia e vjetër dhe Shqipëria/ Si mori jetë projekti i Vuçiç në Novi Sad

Pas takimit të fundit të treshes Edi Rama- Aleksandër Vuçiç- Zoran Zaev, qeveria e Kosovës reagoi sërish kundër nismës së Mini Shengenit, e cila tani ndërroi emër për të dalë në gjenezë, pikërisht kur u propozua nga miliarderi kontrovers, George Soros.

Edhe pse Soros e kishte propozuar nismën e tij për bashkimin doganor të ish-Jugosllavisë me Shqipërinë, ëndrra e vjetër e Enver Hoxhës dhe Titos po bëhet realiteti nga pasuesit.

Në fakt, edhe pse Edi Rama e mohon, i pari këtë ide e hodhi Aleksandër Vuçiç. "Jugosllavia e vjetër plus Shqipërinë, kjo është një ide politike," do shprehej Vuçiç pak pasi kishte marrë mandatin e dytë në vitin 2017.

Sipas tij, bashkimi i këtyre vendeve në një treg rajonal prej 20 milionë banorësh, do ishte një nismë e mirë.

Edhe pse vendet e rajonit bashkëpunojnë nën ombrellën e CEFTA, siç e thekson edhe shkrimi ku flet Vuçiç, pak më vonë lindi samiti i Novi Sadit.

Serbia mori rolin e liderit në rajon dhe bashkë me Edi Ramën e përjashtuan brutalisht Kosovën në Novi Sad. Ndaj nuk është çudi që në reagimin e saj të fundit, qeveria e Kosovës flet për nismën e Novi Sadit dhe jo për Mini Shengen apo Open Balkans.

Ajo është e tillë, një nismë serbe për të ringjallur Jugosllavinë, duke i bashkangjitur edhe Shqipërinë.

Edi Rama e ka pranuar me dëshirë këtë gjë, edhe pse vendet e ish-Jugosllavisë po e kundërshtojnë hapur. Ata e dinë se çfarë i pret kur kanë Serbinë mbi kokë.