Zjarrfikësit në Kosovë ngurrojnë të vaksinohen

Prishtinë - Vaksinimi masiv ka filluar edhe për zjarrfikësit në Kosovë, mirëpo një pjesë e tyre po hezitojnë të marrin vaksinën kundër virusit Covid-19.

Zëvendës komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi ka thënë se 20 pjesëtarë kanë qenë pozitivë të prekur me Covid-19, ndërsa si pasojë e këtij virusi një zjarrfikës ka vdekur.

“Para vaksinimit kanë qenë 20 pjesëtarë të shërbimit tonë kanë qenë pozitivë me Covid-19 dhe disa e kanë pasur gjendjen pak më të rënduar. Dhe poshtu kemi pasur edhe një rast të vdekjes prej covidit. Ndërsa aktualisht nuk kemi asnjë zjarrfikës i cili është i prekur me Covid-19. Vaksinimi ka filluar. Ka ndonjë prej tyre, por që është shumë i rrallë, se ka pak hezitim ndaj vaksinimit, më shumë e kanë problem marrjen e vaksinës sesa llojin për çka është tu e marrë. Dhe kanë hezitim edhe për marrjen e vaksinës por nuk është numër i madh”, tha Gashi.

Njëri nga zjarrfikësit, Shaban Krmemi tha se vështirësitë në këtë punë janë shumë të mëdha duke shtuar se ka mungesë të punëtorëve dhe pajisjeve për shuarjen e zjarreve fushore.

Mes tjerash, Gashi theksoi se nuk iu paguhen as orët shtesë, as ndërrimet e natës dhe as fundjava.

“Vështirësitë në këtë punë janë shumë të mëdha. Mungesa më e madhe për momentin janë punëtorët që është numër shumë i vogël. Gjatë ditës i kemi vetëm 5 zjarrfikës që i mbulojmë dy komuna tjera përveç, Prishtinës, Obiliqit, Fushë-Kosovës. Dhe po ashtu kemi mungesë të disa pajisjeve për shuarjen e zjarreve fushore. Jemi në thirrje vazhdimisht ekipet i kemi në teren dhe punë ka shumë. Me kapacitet që i kemi ne mundohemi të mbulojmë të gjitha fushat. Nuk na paguhen as orët shtesë, as ndërrimet e natës, as vikendi”, tha Krmemi, raporton Ekonomia Online.