Karaburun/ Ndërpritet aksioni nga ajri, do punohet me mjete rrethanore

Si pasojë e erërave të forta që kanë nisur në jug të vendit që prej mëngjesit të sotëm, operacioni për shuarjen e flakëve në Karaburun është ndërprerë.

Pak më herët u kërkua ndërhyrje nga ajri për neutralizimin e flakëve në Karaburun, me qëllimin që ato të mos përhiheshin më tej duke u bërë rrezik potencial për parkun e Llogarasë.

Por raportohet se ndërhyrja nga ajri është thuajse e pamundur, për shkak të erës së fortë që po fryn mbi Karaburun.

Tashmë Forcat e Armatosura që kanë shkuar në Karaburun do të përpiqen që të mbajnë flakët nën kontroll me mjete rrethanore. Karaburuni është një nga zonat më të nxehta sa i përket vatrave të zjarrit në vendin tonë. 

Ministria e Mbrojtjes ka informuar më herët përmes një deklarate shpërndarë mediave lidhur me situatën e zjarreve në vend. Sipas njoftimit zyrtar, aktualisht në të gjithë vendin janë 6 vatra aktiv, ndërsa një vatër është izoluar.

-Zjarri në Gadishullin e Karaburunit vijon të jetë aktiv. Vazhdon operacioni sërish sot për shuarjen e vatrave.

-Zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës është izoluar në pjesën më të madhe të tij. Sot ka filluar operacioni për shuarjen e plotë të tij.

-Vijon zjarri edhe në Fushë Arrëz. Në ndihmë të punonjësve vendorë ka shkuar edhe mbështetja me efektivë nga Forcat e Armatosura.

-Në fshatin Lukan, në Dibër flakët momentalisht janë izoluar.

-Në fshatrat e Njësisë Administrative Antigone kanë vijuar të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krinë. Operacioni po vijon për shuarjen përfundimtare të tyre.

-Në fshatrat e Njësisë Administrative Lunxhëri vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Qesorat, Dhoksat, Tranoshisht dhe Saraqinisht. Ka vijuar operacioni me te gjitha forcat operacionale.

-Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Gadurovë- Selishtë, bashkia Mallakastër. Sot kanë filluar operacionin forcat në nivel qarku.

-Është shuar zjarri në një sipërfaqe me pisha dhe shkurre në Qafë Murrë, bashkia Dibër si dhe në Malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë.