A e ka marrë në dorë Veliaj dhe Fuga, PR-in e Yuri Kim?

Para ca ditësh, publicisti Ylli Dylgjeri i bëri ambasadores amerikane, Yuri Kim një nga propozimet më interesante. Tashmë nuk është gjë e re që marrëdhëniet e ambasadës amerikane me publikun shqiptar janë tronditur.

"Zonja Kim së fundi e ka ndjerë edhe vetë ketë shqetësim. Për herë të parë publiku shqiptar po shprehet e po shfaq pakënaqësi ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë. Kjo nuk kish ndodhur më parë, ose kish ndodhur në doza më të vogla. Qëndrimet anti po dalin në shtyp në takime e kafene," shkruante Dylgjeri.

Me mirësjellje, ai i propozonte Yuri Kim se duhej të gjente një personazh si Ivy Lee, 'babai' i marrëdhënieve publike moderne. Ishte ai që themeloi PR-in modern (public relations).

Prej asaj dite mund të thuhet pa frikë se imazhi i ambasadores amerikane në Tiranë vetëm sa është përkeqësuar. Mjafton të shohësh 'murin' e postimeve të ambasadës në FB dhe komentet e shumta të qytetarëve. Këtu nuk bëhet fjalë për trollsat e zakonshëm, por për njerëzit e revoltuar, që janë gjenuinë në reagimet e tyre.

Nuk dihet nëse ambasadorja e ka lexuar apo e ka konsultuar Dylgjerin, por ajo ka nisur së fundmi një ofensivë joshjeje, për të fituar zemrat e shqiptarëve. Bëhet fjalë për një fushatë takimesh 'gju në gju' me shqiptarët e zakonshëm, me të cilët pi raki e shkëmben batuta.

Shqiptarët janë mikpritës dhe bujarë, por ofensivat e joshjes i ka përdorur i pari kaq shumë Edi Rama, i këshilluar nga spin'i i tij, Endri Fuga.

Më tej është Erion Veliaj që i përdor këto praktika deri në bezdi. Nuk dihet kë ka punësuar anbasadorja për PR'in, por pamjet sugjerojnë se në mos i dëgjon, të paktën i kopjon Ramën e Veliajn.

Njësoj si ata, pamjet që i servir publikut janë ato ku shfaqet si një shqiptare e thjeshtë, e veshur sportive dhe gju më gju me ta. Ajo që nuk shohin qytetarët dhe që kurrqysh nuk ua servir ambasada, janë pushimet me oligarkët.

Ndaj fushata e saj ngjan kaq shumë me atë që bën Rama e Veliaj me shqiptarët.

Por edhe efekti i PR'it e ka një kufi. Në rastet kur gjërat janë thyer shumë, ai ngjan si vendosja e një leukoplasti në një plagë plumbi.

Edhe marrëdhëniet e ambasadorëve me shqiptarët janë krisur shumë. Dikur ata shiheshin si simbol i arbitrit të paanshëm. Tani shihen si gjyqtarë thellësisht të njëanshëm. Për të mos thënë se ka gojë të liga që i shohin si gjyqtarë të kontraktuar.