Calja: Forca e shqiptarit nuk vdes kurrë, presim renditjen përfundimtare pas analizave anti-doping

Peshëngritësi Briken Calja u rendit në vend të katërt në peshën 73 kg në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke qenë shumë pranë medaljes së bronzit, shkruan Syri.net.

Shtangisti nga Shtërmeni ngriti 341 kg në dygarësh, teksa për vetëm 1 kg nuk arriti të marrë medaljen historike për vendin tonë.

Gjithsesi, 31-vjeçari është i lumtur për paraqitjen e suksesshme në Olimpiadë, teksa në një status në “Facebook” i falënderon të gjithë mbështetësit e tij.

Statusi i plotë i Briken Caljes

1 KG LARG NGA MEDALJA OLIMPIKE, VENDI I 4-t DHE NJË REZULTAT HISTORIK NË OLIMPIADËN E TOKIOS

Dolëm kokëlartë dhe krenar nga Olimpiada Tokio 2020 duke arritur një rezultat historik me 341 kg në dygarësh për peshëngritjen shqiptare.

Forca e shqiptarit nuk vdes kurrë, është e rrënjosur thellë në vena dhe shpërthen në momentet më vendimtare në jetë.

Sporti ky është, ndonjëherë të duhet një milimetër për të arritur objektivin e medaljes po jam jashtëzakonisht krenar që gjatë karrierës sime mbaj tri rezultatet më të mira në historinë e peshëngritjes shqiptare, i 6-i në Londër 2012, i 5-i në Rio 2016 dhe i 4-ti në Tokio 2020.

Tani është koha që me qetësi të presim rezultatin me renditjen përfundimtare pas analizave anti-doping.

Doja t'ju falenderoj të gjithëve për çdo mesazh tuajin. Jam shumë krenar që arrij t'ju përfaqësoj denjësisht.

Faleminderit familjes sime për mbështetjen, jeni burimi im i forcës!

Të gjithë atyre që kanë kontribuar e mbështetur karrierën time, ju dërgoj një përqafim të ngrohtë mirënjohjeje.

Të gjithë shqiptarëve që më kanë mbështetur, ju them që suksesi më i madh është ai i radhës.

Faleminderit,

Brikeni

/ Florian Behlula / Syri.net /