Për të gjithë ata që i vendosën thonjëzat te masakra zgjedhore

Pas mbarimit të kuvendit të demokratëve dhe në përfundim të sezonit politik, në kronikat përmbledhëse të mediave, fjala masakër zgjedhore po shihet gjithmonë e më shumë e vendosur në thonjëza. Jo vetëm si një ligjëratë e drejtë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por më së shumti si një përcaktim i tepruar. Dhe pikërisht në kulmin e kësaj ‘paanësie’ mediatike, që bën më shumë dëm se mirë, erdhi raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR. Siç mund të merret me mend, edhe në raportet më të zeza kundër qeverisjes, mes rreshtave ka fjalë që mund të përdoren për të zhurmuar realitetin e hidhur.

Të gjithë ata që kanë dekada që merren me politikë, e dinë se çfarë ndryshimi të madh kanë pësuar raportet e ODIHR. Përpara se Edi Rama të vinte në pushtet dhe të mbante zgjedhje, ne si gazetarë mjafton të shihnim dy-tre paragrafet e para të raportit, pasi aty jepej vlerësimi final. Aty thuhej nëse zgjedhjet kishin shënuar hapa përpara, nëse kishin bërë përparim dhe nëse kishin përmbushur pjesërisht apo në shumicë standardet e OSBE. Sepse çdo palë zgjedhje matet me një numër kriteresh të përcaktuara, ndryshe nuk e dimë kurrë se çfarë kërkojmë dhe çfarë duhet arritur.

Që kur Edi Rama ka nisur të mbajë zgjedhje, në raportet e ODIHR nuk flitet më për standarde. Në asnjë rast nuk është thënë se zgjedhjet ishin një hap para. Kurrë nuk thuhet se cilat kritere të OSBE janë plotësuar. Gjithçka është një përshkrim i shkeljeve të kryera dhe në fund një mal me rekomadime për zgjedhjet e ardhshme.

Që kur Edi Rama ka nisur të mbajë zgjedhje, problemi i blerjes masive të votave është vendosur në qendër të vëmendjes dhe të rekomandimeve të ODIHR. Ky institucion nuk është prokuroria e shqiptarëve, por në raportin e fundit theksohet qartë se akuzat për shitblerje masive të votave janë të besueshme. Më qartë se kaq nuk ka.

Që kur Edi Rama ka nisur të mbajë zgjedhje, përdorimi i shtetit dhe administratës për manipulimet zgjedhore është shqetësimi kryesor i ndërkombëtarëve. Rrallë mund të shihet në ndonjë raport ndërkombëtar një gjuhë si ajo që përdoret në raportin e fundit të ODIHR për shkrirjen e shtetit me partinë e Edi Ramës në favor të abuzimit me votën.

Që kur Edi Rama ka nisur të mbajë zgjedhje, në raportet e ODIHR, por sidomos në raportin e fundit, thuhet qartë se ligjet e shtetit janë mjaft të qarta dhe të rrepta, por ato nuk zbatohen. Rama dhe ministrat e shkelin hapur ligjin, thuhet në raport, një fjali që vjen si një sfidë e hapur për drejtësinë, e cila mund të arrestojë në flagrancë këdo që përdor shtetin abuzivisht, për të manipuluar zgjedhjet, por nuk ka këllqe për ta bërë këtë gjë.

Që kur Edi Rama ka nisur të mbajë zgjedhje, në çdo palë votime shtohet nga një shqetësim i ri, nga një manovër e re për ta bërë damkën e votimeve edhe më të zezë. Këtë herë ishte skandali i patronazhistëve, një reminishencë e Sigurimit të Shtetit, një hije e rëndë shantazhi dhe presioni mbi çdo votues.

Atëherë si mund të dalë PS dhe të pretendojë se ky qenka raporti më i mirë i hartuar për zgjedhjet në Shqipëri? Si mund të dalin ca demokratë dhe të thonë se vërtet qeveria i preku zgjedhjet, por demokratët humbën, kur dihet se Edi Rama mezi pret të deklarojë se zgjedhjet janë prekur aq për të mos devijuar vullnetin e qytetarëve? Mbi të gjitha, si mund të dalë media dhe të vendosë thonjëza mbi masakrën zgjedhore? Mund të mos e quani masakër, mund të mos e quani devijim, as manipulim, por ky është një krim i konsumuar përpara çdo shqiptari. Nuk është fare e nevojshme të dalë një raport i ODIHR për të thënë se zgjedhjet janë vjedhur. Sepse ky është një krim që ka ndodhur, njësoj si një vrasje që nuk mund të fshihet. E megjithatë këta edhe vrasjen mundohen ta relativizojnë. A nuk thanë pas ekzekutimit së Klodian Rashës se viktima është fajtori?

E kam thënë edhe herë të tjera se paradigma ka ndryshuar, se tashmë gazetarët dhe gjithkush duhet të ndjekë të vërtetën. Për filozofin dhe studiuesin e politikës, gjermanin e njohur Jan-Werner Mueller, demokracinë po e vret pikërisht kjo qasje ‘objektive’.

“Imperativa për të dëshmuar objektivitet, duke mbuluar të gjitha pikëpamjet e rëndësishme në mënyrë neutrale funksionon mirë në demokraci funksionale. Por kur partitë kthehen kundër parimeve demokratike, një partim i tillë bëhet ndihmës i tyre,” thotë Mueller.

Zgjedhjet nuk janë manipuluar sepse kështu thotë Lulzim Basha. Masakra nuk ka ndodhur sepse kështu do PD. Ky është një fakt që nuk zhbëhet. Sigurisht kjo mund ta ketë bërë më të vështirë betejën e PD, e cila e ka lidhur fatin e saj me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por një gjë është e sigurt: Edi Rama mund ta ketë zgjatur rrugën e tij në qeveri, por e ka bërë fundin më të hidhur. Asnjë rast tjetër në histori nuk flet për të kundërtën.