‘Mandati i tretë’ i Ramës ishte një puç, ja pikat në raportin e ODIHR që e vulosin këtë fakt

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në 23 korrik 2020 ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të cilat palët politike kishin rënë dakord në marrëveshjen e Këshillit Politik të 5 qershorit, e cila u përshëndetur nga partnerët europianë dhe SHBA. Por po atë ditë gjatë një fjalimi në parlament Edi Rama premtoi ndryshime të mëtejshme kushtetuese në parlamentin e kontrolluar prej tij të cilat nuk ishin dakordësuar në Këshill. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për të mos ndërmarrë ndryshime kushtetuese pa rënë dakord më parë me opozitën jashtëparlamentare, Rama i realizoi të gjitha ato në seancën e 30 korrikut 2020.

Me rastin e miratimit të Marrëveshjes së 5 qershorit, mazhoranca në mënyrë të “pabesë” edhe në lidhje me ambasadorët garant të marrëveshjes me opozitën jashtëparlamentare, bënë një  marrëveshje paralele me të ashtuquajturën “opozitë parlamentare” të cilën e kishin nën kontroll.

Produkti i saj ishin pengimi i koalicioneve parazgjedhore dhe si dhe “hapja e listave” që në fakt nuk u hapën, por u shndërruan në një hibrid të përçudnuar.

Opozita jashtë parlamentit kundërshton dy ndryshimet kushtetuese dhe votimin e tyre  e konsideruan një "akt me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin politik të vendit”. PD dhe LSI e konsideruan ndryshim të kushtetutës një zhvleftësim të marrëveshjes së 5 qershorit ndërsa zyrtarë të ndryshëm të Komisionit Europian si dhe disa eurodeputetë kanë kërkuar tërheqjen e saj.

Të gjitha ndryshimet e bëra nëpërmjet kësaj të ashtuquajture Reformë Zgjedhore, jo vetëm që u kryen në formën e një “puçi” kushtetues, por në fakt ishin të gjitha në shërbim të “mandatit të tretë”.

Pengimi i koalicioneve i dha Ramës shansin e një fitoreje në tavolinë, kurse shitblerja e votës, përdorimi i administratës shtetërore dhe gjithë burimeve të shtetit në favor të PS-së, arritën kulmin.

Ndaj në raportin përfundimtar të ODIHR nëpërmjet shumë rekomandimeve, kërkohet ribërja e të ashtuquajturës Reformë Zgjedhore që votoi Rama në një parlament gjysmak dhe fake. Të gjitha konstatimet dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve, vërtetojnë gjithashtu se zgjedhjet e 25 prillit ishin në fakt një “puç” ligjor kundër lirisë së votës.
Disa nga rekomandimet kryesore të raportit të OSBE/ODIHR që e vërtetojnë këtë;

1. Ligji zgjedhor ka nevojë për rishikim të mëtejshëm për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias dhe një numër paqartësish dhe mospërputhjesh. Ndryshimet në ligj duhet të paraprihen nga një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës i konsultimit, dhe të miratohen para zgjedhjeve të ardhshme.
2. Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si votuan njerëzit duhet të parandalohet.
3. Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të shtojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të inkurajohen të denoncojnë shit-blerjen e votës ose presionin.
4. Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe sanksionojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.
5. Ligji duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet zgjedhore me qëllim që të kufizojnë përdorimin e përmbajtjes së prodhuar nga partia në lajme.
6. Të rishikohet pragu kombëtar 1% për kandidatët e pavarur për të respektuar parimin e mundësive të barabarta.
7. Për të shmangur zhvlerësimin e qëllimshëm të fletëve të votimit dhe për të rritur besimin në procesin zgjedhor, autoritetet duhet të investojnë në programe edukimi të votuesve të përshtatura për kategori të ndryshme të votuesve.
8. Për të siguruar votimin universal dhe trajtimin e barabartë para ligjit, kufizimet e bazuara në aftësitë e kufizuara mendore duhet të hiqen dhe duhen regjistruar votuesit mbi 100 vjeç.
9. E drejta e kryetarëve të partive politike që të konkurrojnë në disa zona zgjedhore duhet të rishikohet për të ruajtur parimin e barazisë.
10. Të rishikohet dispozita e ligjit në lidhje me numrin maksimal të kandidatëve në lista dhe renditjen e kandidatëve të gjinive të ndryshme.
11. Organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, në një mënyrë të plotë, në kohë dhe transparente.
12. Autoritetet duhet të forcojnë rregullat dhe të kufizojnë financimin e partive nga palë të treta.
13. Partitë duhet të bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës para ditës së zgjedhjeve
14. Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet për të garantuar mundësi të barabarta të të gjitha palëve garuese për mbulim në media, përfshirë hapësirën për reklamim.
15. KQZ-ja duhet të vazhdojnë programet personale të edukimit të votuesve të përshtatura për nevojat e pakicave kombëtare rome dhe egjiptiane. Mund të bëhen përpjekje shtesë nga autoritetet për të lehtësuar aplikimin ose rinovimin e kartave të identitetit të votuesve me nevoja të veçanta.