ODIHR denoncon skandalin e patronazhistëve/ Si i doli boja SPAK-ut

Në raportin final të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit në vend, mes të tjerash theksi vihet edhe mbi skandalin e patronazhistëve të pushtetit.

Duke e njohur rrjedhjen e të dhënave si shkelje dhe minuese e besimit tek procesi zgjedhor, raporti i OSBE-së kujton se u kërkua hetim në SPAK për ngjarjen, hetim që mori një rrjedhë tjetër, sikurse do ta shtjellojmë më poshtë.

ODIHR rekomandon që institucionet në vend të kryejnë një hetim të hollësishëm për rrjedhjen e të dhënave të 900 mijë shqiptarëve.

“Gjatë fushatës, doli se një bazë të dhënash që përmban informacionin personal dhe detajet e kontaktit të rreth 900,000 shtetasve shqiptarë, që përmbajnë gjithashtu preferenca të mundshme të votimit, rrodhën në publik. Partitë e opozitës, Presidenti dhe shumë në media kërkuan një hetim nga SPAK në keqpërdorimin e pretenduar të të dhënave personale të qytetarëve".

"Ndarja ose ndërthurja e paautorizuar e të dhënave personale të votuesve për qëllimet e supozuara të angazhimit demokratik, mund të konsiderohet si shkelje e angazhimit për mbrojtjen e të drejtës për jetë private dhe familjare dhe mund të dëmtojë besimin e elektoratit, përfshirë fshehtësinë e votës së tyre. Shqipëria duhet të sigurojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet tërësisht të hetojnë dhe sanksionojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor” – thuhet në raportin e OSBE/ODIHR-it.

Sikurse shkruajtëm më sipër, në sintoni me rekomandimin e OSBE-së kanë qenë thirrjet e Partisë Demokratike, Presidentit Meta dhe organizatës rinore “GUXO”, që kanë kërkuar hetim nga SPAK, dhe ngritën padi tek drejtësia e re.

Por SPAK-ut të shumë pompuar si shpërtimtar i pandëshkueshmërisë do t’i dilte boja shpejt. Këtë do ta provonte vetë portali Lapsi.al, i cili botoi skandalin dhe me pas u përball me një hetim agresiv nga SPAK.

Prokuroria Speciale ndoqi një strategji të çuditshme duke mos marrë anën e qytetarëve të prekur që iu ishin vjedhur të dhënat, por duke hetuar se nga e kishin zbuluar gazetarët sekretin? Ndërkohë që të gjithë specialistët e fushës këmbëngulnin se nëse kjo punë do të duhej të bëhej profesionalisht, duheshin ndjekur së paku dy rrugë.

Së pari, duhej hetuar pranë E-Albania, nxjerrja e të dhënave nga serveri i së cilës lë gjurmë. Janë tashmë të shumta dëshmitë se qytetarë (madje dhe gazetarë) që gjenden prej vitesh jashtë, që nuk kanë ardhur fare në Shqipëri, por që për arsye kërkese dokumentash kanë depozituar të dhënat e tyre tek AKSH, janë dekonspiruar.

Rruga tjetër do të kish qenë të merreshin urgjentisht në pyetje ata persona, emrat e të cilëve figurojnë si patronazhistë dhe një mumër të konsiderueshëm të të cilëve Lapsi.al i ka vërtetuar që punojnë për llogari të rilindjes. Kush i ka urdhëruar të merreshin me ato të dhëna? Cili ua ka dhënë? Si iu ka rënë në dorë numri i telefonit, adresa, numri i kartës së identitetit të atij që duhet të mbikqyrin?

Por, para se të bënte këtë, prokuroria dhe gjykata e posaçme preferuan të merren me ne gazetarët duke kërkuar sekuestrimin e zyrave, paisjeve dhe telefonave të tyre, një pistë aq e shtrembët sa e hodhi poshtë edhe gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg. Aq këmbëngulës u treguan pinjollët e drejtësisë së re në këtë pikë, sa natyrshëm në publik lindi dyshimi: çfarë po kërkojnë realisht, atë që ka kryer krimin e vjedhjes të të dhënave të qytetarëve, atë që i përdori këto të dhëna personale për të përmbysur rezultatin e 25 prillit, apo thjeshtë tentuan të kapin atë që ka tradhëtuar nënën parti dhe ka nxjerrë në sipërfaqe krimin që ajo donte ta mbante fshehur?

Organizata rinore “Guxo” duke e shpënë sërisht këtë çështje në SPAK, i ka ringritur edhe njëherë këto dilema. Pak ditë më parë i njëjti grupim kanë depozituar një kërkesë tek Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave lidhur me punën e Patronazhistëve të PS-së.

Ata kërkojnë konstatim të paligjshmërisë të mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave personale nga Partia Socialiste. Një tjetër kërkesë e tyre është fshirja e çdo të dhëne personale nga serverat, kompjuterët dhe telefonat e Partisë Socialiste si dhe ndëshkimin e tyre.

Çështja e patronazhistëve u hulumtua dhe publikua nga Lapsi.al përpara zgjedhjeve të 25 Prillit. Sipas burimeve të Lapsi.al, që vunë në dispozicion gjithë informacionet e përpunuara të qytetarëve, PS kishte një database me të dhënat e mijëra qytetarëve, dhe preferencat e tyre partiake.

Raporti i OSBE/ODIHR-it thekson se Partia Socialiste, e cila ka pushtetin krijoi avantazh për shkak të kontrollit të administratave lokale dhe keqpërdorimi i burimeve administrative.

Po ashtu vihet re se pretendimet për blerje votash ishin prezente gjatë fushatës dhe kjo pasoi me një numër të lartë hetimesh./LAPSI.AL