‘Trimi i çartur’ i dritareve…

Zv.Kryeministri ynë që me sa duket zakonisht fle si një qengj, na tregon se natën e fundit paska bërë një gjumë të trazuar.

E kanë shqetësuar zhurmat e makinave të ndërtimit, të gjorin… Ato makina që hedhin beton në çdo cep të Tiranës, sipas planeve e vizionit që ka për qytetin pikërisht skuadra qeverisëse në të cilën bën pjesë dhe gjumëprishuri i sotëm.

Me “nervin” që e karakterizon, ai rreket të na bindë se është veçse njëri nga "vdekatarët" e thjeshtë të këtij vendi: ka të njëjtat halle, i del gjumi i natës dhe madje reagon njësoj si njerëzit e zakonshëm duke nxjerrë kokën dhe turfulluar kundër "padrejtësive" nga dritarja respektive: e dhomës së gjumit, banjos apo ajo e Facebook.

Në fakt, planet e skuadrës në të cilën bën pjesë edhe Zv.Kryeministri kanë kohë që kanë lënë pa gjumë një pjesë të mirë të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Dhe kjo jo vetëm për shkak të zhurmës së makinave të ndërtimit që sonte i prishën gjumin Zv.Kryeministrit, por mbi të gjitha për shkak të abuzimeve të panumërta që shokët e kolegët e tij bëjnë mbi kurrizin e qytetarëve të thjeshtë, prej motesh tashmë, duke i shkaktuar dëme të parikuperueshme hapësirave publike.

Zv.Kryeministrin tonë nuk duhet t’a zinte gjumi gjithë natën, jo për shkak të makinave zhurmë-mëdha që derdhin bëton kudo që u jepet një shesh për përshesh, por për shkak të filozofisë së “betonizimit” të një pushteti abuziv e të korruptuar, në majë të piramides të së cilit është edhe vetë Zv.Kryeministri.

Mund të na vinte disi keq për gjumin e prishur të këtij “trimi të çartur” në qofte se prej pozicionit të rëndësishëm që ka, do t’a kishte ngritur zërin ndaj shefit të vet për shkatërrimin të trashegimisë së qytetit, masakrës urbane që po i bëhet Tiranës, ligjeve me porosi që favorizojnë grupime të caktuara të shoqerisë apo propagandës së pafre që shoqëron qeverisjen e skuadrës së tij.

Problemi i ketij vendi nuk është zhurma e makinave të ndërtimit... ajo është vetëm pasoja.

Grykësia dhe kapja e shtetit për interesa korruptive nga klika ku bën pjesë dhe Zv.Kryeministri është halli i madh që u ka renë në kokë qytetarëve durim-mëdhenj të këtij vendi.

Por deri tani Zv.Kryministrin e kemi parë vetëm në ballë të promovimit të shalqinit dhe qepëve të Myzeqesë - gjë që është mëse e mirëpritur - por pasi të kryejë disa detyra të rëndësishme të cilat janë pjesa kryesore e përshkrimit të punës së një zyrtari që mban post të këtij kalibri.

Atëherë natyrshëm lind pyetja: Kujt i ankohet ky Zv.Kryeministër-“trim i çartur”, që sokëllin nga dritaret e shtëpisë e Facebook-ut?