VIDEO/ A po shkojmë drejt peshkut të madh? Yuri Kim: Unë jam diplomate, jo peshkatare

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, u ka bërë thirrje qytetarëve të jene më kërkues ndaj qeveritareve dhe të zgjedhurve të tyre, në mënyrë që reforma në drejtësi të vazhdojë përpara.

Në një prononcim për mediat, nga Pusteci, ambasadorja e SHBA-ve, në Shqipëri, theksoi se reforma në sistemin e drejtësisë po ecën me ritme të ngadalta, por kjo nuk është arsye, për t’u dorëzuar.

Unë mendoj që reforma në drejtësi po çohet përpara, ngadalë, me ngadalë se çfarë do të donim por është padyshim një shtysë përpara, njerëzit duhet të vazhdojnë të jenë të pakënaqur, duhet të jenë më tepër kërkues me qeveritaret e tyre, njerëzit që ata kanë zgjedhur dhe duhet të vazhdojnë përpara. Tani është koha që të vazhdojmë përpara. Mos u dorëzoni. Disa njerëz thonë që reforma në drejtësi është asgjë, duhet të dorëzohemi, por jo, po ju gënjejnë, mos hiqni dorë.

E pyetur nëse operacionet e fundit, janë një sinjal, se po shkohet drejt arrestimit të peshqve të mëdhenj, ambasadorja amerikane, deklaroi se kjo është një përgjegjësi e institucioneve, të cilat duhet të përmbushin detyrën e tyre.

Une jam diplomate. Unë nuk jam një persekutore, nuk jam një peshkatare, nuk jam gjyqtare, unë jam thjesht një diplomate. Institucionet kanë përgjegjësinë e tyre, ata e dinë se cilat janë përgjegjësitë e tyre, unë mendoj që ata po nisin ti përmbushin ato. Le të mbështesim ata.

Deklaratat e ambasadores, u bënë, pas aktivitetit, ‘Mik festival’ që u zhvillua në Pustec, nga ku Yuri Kim theksoi se nuk është vetëm reforma e drejtësisë, por bukuria e Shqipërisë dhe shpirti i shqiptarëve që i jep shpresë.