VIDEO - U qëllua nga RENEA/ I plagosuri në Shkodër i fshehur në një stan, policia jep detaje nga operacioni

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me plagosjen me armë zjarri në Shkodër. Mësohet se është plagosur gjatë aksionit të RENEA-s per arrestimin e tij, shtetasi Ardian Narkaj, 52 vjeç, banues në Koplik.

Ai ka marrë tre plumba, një në pjesën e këmbës, një në gjoks dhe një tjetër në parakrah.

Mësohet se 52-vjeçari ishte person i shpallur në kërkim, për një vrasje të dyfishte dhe policia kishte marrë informacione për vendndodhjen e tij në fshatin Bratosh, të Malësisë së Madhe.

Sipas policisë, Narkaj nuk i është bindur urdhrit përsëritës të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka tentuar të largohet. Forcat RENEA, për ta neutralizuar e kanë plagosur atë. 

Ja njoftimi i plotë

Shkodër

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit, strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me forcat RENEA, në bazë të informacioneve të marra për vendndodhjen e një personi  të shpallur në kërkim prej 10 vitesh, i dënuar për vrasje të dyfishtë, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar "Bratosh".

Në një zonë malore të Kastratit, në vendin e quajtur "Gropat e Vrinit" Bratosh, Malësi e Madhe, forcat speciale RENEA kanë rrethuar vendin (stan bagëtish) ku fshihej shtetasi në kërkim Ardian Narkaj dhe i kanë bërë thirrje për t'u dorëzuar.

Ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të policisë, por ka tentuar të largohet duke përfituar nga terreni i vështirë malor. Forcat speciale RENEA kanë marrë masa për sigurinë e jetës së tyre, pasi kanë konstatuar se ky person ishte i armatosur. Ata i kanë bërë disa herë thirrje për tu dorëzuar.

Ardian Narkaj nuk i është bindur urdhrit përsëritës të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka tentuar të largohet. Forcat RENEA, për ta neutralizuar e kanë plagosur atë. 

52 vjeçarit i është dhënë ndihma e parë nga  Renea dhe më pas është transportuar në Spitalin e Traumës në  gjendje të stabilizuar.

Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë me fishekë në fole gati për qitje.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po kryen veprimet hetimore.

Shtetasi Ardian Narkaj ishte në kërkim, i dënuar me 21 vite burgim për vrasje të dyfishtë dhe armëmbajtje pa leje.

Shtetasi Ardian Narkaj është autori i një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2008 në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe, ku janë varë me armë zjarri shtetasit T. U. dhe Gj. Sh.

Gjykata e Apelit Shkodër, në vitin 2016, e ka dënuar me 21 vite burg për veprat penale “Vrasja  rrethana cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.