VIDEO- SYRI TV/ Si paraqitet situata e zjarreve masive në vend

Zjarret masive kanë përfshirë rrethe të ndryshme të vendit tonë teksa forcat zjarrfikëse e kanë pasur të vështirë ndërhyrjen për shkak të terrenit. Vatrat aktive në Kurbin dhe Vlorë duket se janë neutralizuar, ndërkohë që situata shfaqet më alarmante ne shatin Gjorgoz të Fierit ku flakët ende nuk janë neutralizuar

SYRI TV

Rritja e temperaturave ka sjellë edhe problematikën e përvitshme të zjarreve në vendin tonë. Prej më shumë se 24 orësh vijon që të digjet pylli me pisha në fshatin Gjorgoz në Fier. Zjarri që ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme malore, është i vështirë që të shuhet nga forcat zjarrfikëse për shkak të terrenit të vështirë. Në këto kushte është ndërhyrë në mjete rrethanore për shuarjen e vatrës së zjarrit.

Ndërsa mbrëmjen e së premtes një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë disa hektarë ullishte në fshatin Zhej të Kurbinit. Zjarrfikëset kanë ndërhyrë, por e kanë të pamundur vënien nën kontroll të flakëve. Në ndihmë të tyre kanë mbërritur gjatë ditës së sotme forcat e ushtrisë të cilat bënë të mundur vënien nën kontroll të flakëve. Ndërkohë policia njofton se në lidhje me këtë ngjarje ka proceduar penalisht një 45-vjeçar për akuzën shkatërrim prone nga pakujdesia.

Gjithashtu mbrëmjen e djeshme zjarri ka përfshirë një faqe mali në Dukat të Vlorës dhe u përhap me shpejtësi i favorizuar nga era. Banorët, të cilët u ndjenë të rrezikuar pasi flakët po përhapeshin me shpejtësi për shkak të erës, kanë ndihmuar forcat zjarrfikëse për shuarjen e zjarrit. Mëngjesin e së shtunës duket se vatrat aktive janë neutralizuar, por gjithsesi forcat zjarrfikëse ndodhen pranë vendit të ngjarjes së bashku me grupin hetimor për të zbuluar nëse zjarri ka qenë për shkaqe natyrore apo i qëllimshëm.

Ndërkohë një zjarr ka nisur paraditen e së shtunës në vendin e quajtur mbi Liqenin e Mursisë. Nga zjarri, për të cilin ende nuk dihet shkaku, janë djegur rreth 5 ha me shkurre dhe rreth 300 rrënjë ullinj. Ende nuk dihet vlera ekonomike e de?mit te? shkaktuar, ndërsa nuk ka pasur probleme të tjera. Specialistë të shërbimit zjarrfikës të bashkisë Konispol kanë mundur të shuajnë zjarrin në kohë. Nga burimet mësojmë se kjo sipërfaqe është ndarë nga bashkia për banorët e fshatit Mursi për ndërtime. Dyshohet se dikush, që ka dashur të hapë vendin e vet nga shkurret, mund të ketë shkaktuar edhe zjarrin. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e këtij zjarri.